Lidhje

SHBA: Karl Rouv optimist për shanset e republikanëve në zgjedhje

  • Majkëll Bauman

Megjithë rezultatet e anketave që tregojnë një pakënaqësi në shkallë të gjerë ndaj Presidentit Bush dhe Partisë Republikane në përgjithësi, ish-këshilltari kryesor i Presidentit shprehet optimist për shanset e republikanëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Karl Rouv, i cili largohet në fund të muajit nga ky post, u bëri një analizë pozitive shanseve të republikanëve për fitore në zgjedhjet e 2008-s:

Afro një vit pasi republikanët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, anketat tregojnë se Presidenti Bush ka nivelet më të ulëta të mbështetjes publike dhe optimizmi në radhët e republikanëve është në nivel të ulët ndërkohë që Partia përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe legjislative të vitit të ardhshëm.

Kandidatët kryesorë demokratë ua kanë kaluar konkurentëve republikanë në përpjekjet për grumbullim fondesh dhe një anketë e fundit tregon se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, konkurentja më e fortë demokrate aktualisht, senatorja Hillaryi Klinton, do të mundëte me diferencë të ngushtë votash rivalët kryesorë republikanë.

Mos ka ardhur koha që republikanët t’i pushtojë paniku? Jo, thotë Karl Rouv, i cili shpesh cilësohet si arkitekti i fushatave të suksesshme të Presidentit Bush për presidencën në vitin 2000 dhe më pas në 2004.

Disa ditë pasi i paraqiti Presidentit dorëheqjen e tij nga posti i Zëvendës Shefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë, zoti Rouv dha një intervistë për rrjetin televiziv Fox, ku bëri një analizë optimiste të shanseve të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

"Mendoj se Partia Republikane u përshtatet më mirë qëndrimeve, vlerave dhe pikëpamjeve të popullit amerikan dhe me kandidatët më të fortë të kësaj partie në zgjedhje, senatori Xho MeKein, ish-senatori Fred Tomson, ish-guvernatori i shtetit Masaçusets Mit Romni, dhe ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani, kemi shanse të shkëlqyera për të vazhduar të mbajmë Shtëpinë e Bardhë",- thotë Rouv.

Për sa i përket pyetjes se cila parti do të kontrollojë Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Rouv vë në dukje se të njëjtat anketa që tregojnë mbështetje të ulët për Presidentin Bush tregojnë mbështetje edhe më të ulët për Kongresin, i cili që pas zgjedhjeve të vitit të kaluar është nën kontrollin e demokratëve.

"Shikoni rënien e madhe të mbështetjes për Kongresin demokrat, i cili kishte nivele shumë të larta mbështetjeje 7 muaj më parë dhe tani ka rënë nën nivelin e Presidentit", - tha Rouv.

Ai u pyet më pas për skandalet e fundit lidhur me shkarkimin e 8 prokurorëve federalë, por nuk pranoi të përgjigjej. Në ditët që u paraprinë zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan, zoti Rouv pati dhënë parashikimin sensacional, se republikanët do të ruanin shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, që siç e tregoi rezultati i zgjedhjeve, ishte i gabuar.

Në intervistën për rrjetin Fox, zoti Rouv tha se është normale, që partia që ka Shtëpinë e Bardhë, të humbë vende në zgjedhjet për pushtetin legjislativ, kur zgjedhjet zhvillohen në mes të mandatit presidencial. Ai shtoi se në një numër garash të rëndësishme për Kongres vitin e kaluar diferenca ishte e vogël.

Është e natyrshme, që operativët politikë të theksojnë zhvillimet pozitive kur është fjala për shanset e partisë së tyre në zgjedhje. Strategët e Partisë Demokrate shprehen gjithashtu optimistë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në janar zhvillohen zgjedhjet e para partiake, ku kandidatët konkurojnë për të marrë emërimin e partisë së tyre përkatëse për garën e presidenciale që zhvillohet pas më shumë se një viti.

Karl Rouv, i cili doli në publik përkrah Presidentit, pasi paraqiti dorëheqjen nga posti, tha se për të ka ardhur koha që t’i kushtojë më shumë kohë dhe vëmendje familjes.//lk

XS
SM
MD
LG