Lidhje

Shqipëri: Të djathtët të acaruar për zgjedhjet në një zonë të Tiranës


Marrëdhëniet midis partive të djathta politike u acaruan papritur tani që po diskutohet për kandidaturat për deputetë në zonën 31 të kryeqytetit, dhe kjo mund të sjellë një fitore për opozitën në lagjen që njihet si mbështetëse e maxhorancës aktuale.

Drejtuesi i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi se ai do të kandidojë për deputet në këtë zonë, duke mos përfillur kërkesat për tërheqje nga Partia Demokratike, e cila nga ana e saj vendosi të ketë për kandidat Edi Palokën. Zoti Shehi, një ish-qeveritar i PD, propozoi më parë që kandidatura e tij si LZHK-së të mbështetej nga të gjitha forcat e djathta, edhe si një provë bashkëpunimi, por PD-ja vendosi që të kandidojë në zonën 31 Edi Palokën, një nga veprimtarët e njohur të kësaj partie në kryeqytet.

Përveç PD-së, kandidatura e zotit Paloka po mbështetet edhe nga partitë e tjera aleate të koalicionit qeveritar, për të cilat tensionimi i marrëdhënieve me LZHK-në nuk shënon ndonjë tronditje domethënëse në radhët e të djathtëve në pushtet. Aleksandër Garuli i PR-së, tha se maxhoranca do të bashkëpunojë ngshtë në këto zgjedhje edhe për një zonë.

Partitë e opozitës ende nuk kanë vendosur se cila do të jetë kandidatura e tyre për deputet në zonën që shtrihet në qendër të Tiranës. Fushata për këto zgjedhjen e deputetit në këtë zonë do të hapet pas dy ditësh, kohë kur edhe PS do të marrë një vendim për kandidaturën e saj, gjatë një mbledhje të njoftuar kryesie, ku do të diskutohet edhe një ristrukturim të thellë të organizatave të saj.

Zgjedhjet e parakohshme në zonën 31 u bënë të detyrueshme prej dorëheqjes nga mandati i deputetit që bëri zoti Bamir Topi, në çastin që u zgjodh President i Shqipërisë nga Parlamenti. Kjo zonë ka një histori të gjatë të mbështetjes së forcave të djathta, ndërsa jo rrallë ka zgjedhur në pushtetin vendor zyrtarë të partive të majta. //ad//

XS
SM
MD
LG