Lidhje

Kosovë: Ekipi negociator rithekson se pavarësia është e pa negociueshme


I dërguari i Bashkimit Evropian, ambasadori Wolfgang Ischinger, anëtarë i treshes ndërmjetësuese të grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës vjen nesër në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për bisedimet që pritet të vazhdojnë më 30 gusht në Vjenë. Ekipi i negociuevse të Prishtinës është shprehur i gatshëm për të shkuar në këto bisedime me qëndrimet se pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se Prishtina pret që bisedimet 120 ditëshe të përmbyllin procesin e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës në pajtim me vullnetin e qytetarëve të saj dhe se Prishtina nuk do të bisedoje për asnjë mundësi tjetër përveç pavarësisë. Ai nuk deshi të komentojë asnjë nga idetë e Beogradit për zgjidhjen e këtij statusi, ndërsa me të tha ai mund të bisedohet vetëm për çështje të interesit të ndërsjellë.

“S’dua të them me çka do të merret Serbia, sepse përpjekja e saj është për të prolonguar, për të komprometuar procesin dhe për të mos pas zgjidhje asnjë herë. Për ne është me rëndësi të prezantojmë një qasje të drejtë, një të drejtë të natyrshme të popullit të Kosovës e kjo është e drejta për lirinë dhe mëvetësinë e saj”, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi tha se Prishtina i ka bërë të gjitha kompromiset e mundshme.

“Qëndrimet tona janë shumë të qarta, pavarësia e Kosovës me mbikëqyrje civile fillimisht ndërkombëtare, është kompromisi ynë, pastaj respektimi i parimeve të Grupit të Kontaktit se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm, por edhe do të kërkojmë që assesi në mënyrë të njëanshme të mos pengohet zyrtarizmi i pavarësisë së Kosovës dhe njohja ndërkombëtare, sepse po mos të kishim një bllokadë të njëanshme nga Rusia, Kosova tash e tre muaj do të ishte e pavarur”, theksoi zoti Thaçi.

Ndërsa, kryetari i Partisë reformiste Ora Veton Surroi tha se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për pavarësinë e vendit deri në fund të këtij viti.

“Institucionet e Kosovës kanë nevojë të marrin pjesën ë procesin negociator gjithashtu, njëra çështje nuk e përjashton tjetrën, por nëse institucionet e Kosovës nuk e përgatisin vendin për pavarësi, atëherë pavarësia do të shtyhet. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm çështje e bashkësisë ndërkombëtare, ngase ajo i nevojitet qytetarëve të Kosovës fillimisht dhe institucionet kanë obligim me e përmbush këtë obligim deri në fund të vitit”, tha zoti Surroi.

Dita e nesërme mund të shpalosë hollësitë e formatit të negociatave që do të mbahen më 30 gusht dhe që pritet të vazhdojnë në shtator me ndërmjetësimin e të dërguarve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Grupi i Kontaktit mori përsipër çështjen e statusit të Kosovës, pas dështimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të arritur një konsensus ndërkombëtarë për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t'i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. //iç

XS
SM
MD
LG