Lidhje

SHBA ritheksojnë mbështetjen për pavarësinë e Kosovës


Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë për Kosovën.

Zëdhënësi Gonzalo Gallegos tha se shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit si dhe vendet e Bashkimit Europian dhe të tjerë mbështesin pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën.

Zoti Gallegos tha se është ekzagjerim ta quash planin Ahtisari për Kosovën një plan për krijimin e një “një shteti të NATO-s”. Departamenti i Shtetit, tha ai, nuk mendon se një deklaratë e tillë përfaqëson pikpamjen zyrtare të qeverisë serbe.

Retorika e pabazuar dhe e padobishme, tha zëdhënësi, nuk na sjell më pranë asaj që ne mendojmë se është qendrimi i përbashkët dhe i dëshirueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se qeveria serbe do ta përqendrojë vemendjen te puna me udhëheqjen kosovare dhe me trojkën e Grupit të Kontaktit për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët për statusin përfundimtar të Kosovës.

Plani Ahtisari, tha zëdhënësi, do të jetë baza për bisedimet e reja. Shtetet e Bashkuara, theksoi ai, ndajnë me shumicën e qytetarëve serbë të njëjtin vizion për Serbinë: atë të paqes, begatisë dhe lidhjeve me institucionet ndëratlantike dhe institucionet europiane. //ii

XS
SM
MD
LG