Lidhje

Diplomati rus pranon negociata të vështira mes serbëve dhe shqiptarëve


I dërguari i posaçëm rus për Kosovën pranoi se do të jetë shumë e vështirë që serbët dhe udhëheqësit shqiptarë të Kosovës të bien dakort lidhur me statusin e ardhshëm të saj. Alexander Botsan Karshenko tha sot se të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta.

Shqiptarët e Kosovës këmbëngulin tek pavarësia ndërsa Serbia e kundërshton atë. Diplomati rus kundërshtoi afatin kohor deri në dhjetor për arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka caktuar datën 10 dhjetor për raportin e negociatorëve lidhur me përparimin e bisedimeve.

Diplomati rus shtoi se nuk ka kuptim të punohet për një rezolutë në se nuk gjendet kompromis.

Ndërkaq, Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, tha sot në Prishtinë se zgjedhjet e reja parlamentare dhe lokale në Kosovë do të mbahen gjatë këtij viti. Ai tha se deri në fund të muajit do të miratojë kuadrin ligjor ndërsa në fillim të muajit të ardhshëm do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve. Kjo do të varet nga rrjedha e negociatave për statusin e Kosovës, të cilat do të vazhdojnë javën tjetër në Vjenë. //rd//

XS
SM
MD
LG