Lidhje

Tiranë: Dështon afati për Komisionin Zonal të zgjedhjeve në zonën 31


Në Shqipëri sot dështoi ngritja brenda afatit të Komisionit Zonal për zgjedhjet që do të mbahen në një zonë të Tiranës për vend deputeti të lënë bosh pas zgjedhjes së zotit Bamir Topi si president i vendit. Kryetar i Komisionit Qëndror Çlirim Gjata fajësoi për këtë partitë politike.

Nga 13 emrat e propozuar vetëm dy prej tyre plotësonin kushtet e përcaktuara. Komisioni vendosi t'i japë partive afat deri nesër pasdite për respektimin e këtij detyrimi.

Mosfunksionimi i Komisionit Zonal pengon ngritjen e infrastrukturës së duhur zgjedhore dhe regjistrimin e kandidatëve. Në garën për deputet, demokratët kanë përzgjedhur si kandidat të tyre zotin Edi Paloka, i cili do të ketë si rival jo vetëm kandidatin e së majtës por edhe kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili nuk ka pranuar të tërhiqet. Socialistët nga ana e tyre ende nuk kanë marrë vendim se cili do të jetë emri me të cilin ata do të konkurrojnë.

Zgjedhjet në Tiranë nuk sjellin asnjë ndryshim në raportet e forcave në parlament por ato shihen më tepër si një test rreth luhatjeve të mbështetjeve elektorale që gëzojnë të dy kampet kryesore. //rd//

XS
SM
MD
LG