Lidhje

Të metat dhe përparësitë e energjisë së prodhuar nga qymyri


Në Terre Haute të Indianës këtu në Shtetet e Bashkuara ndodhen dy nga uzinat që gjenerojnë energji nga qymyri i pastërt. Teknologjia e qymyrit të pastërt ka qënë në zhvillim qysh në fillim të viteve 1990 në Shtetet e Bashkuara dhe pas pak vitesh, 20 uzina të tjera do të ndërtohen në pjesë të ndryshme të vendit.

Qymyri është tani burimi më i madh i energjisë në Shtetet e Bashkuara. Mbi 600 uzina të energjisë së qymyrit prodhojnë më shumë se gjysmën e elektricitetit në vend. Por qymyri është gjithashtu një nga burimet më armiqësore të ambjentit dhe emeton ndotje kur nxirret, transportohet dhe digjet. Për dekada me rradhë, uzinat e energjisë me qymyr në mbarë vendin kanë emetuar një sërë substancash toksike të rrezikshme që dëmtojnë ambjentin. Aty përfshihen sasi të mëdha dioksidi karboni që kontribuon në ngrohjen globale. Por një teknologji e re e qymyrit të pastërt mund të ulë dramatikisht emetimin toksik nga uzinat e qymyrit.

Jared Daniels është me Zyrën për Teknologjinë e Qymyrit të Pastërt në Departamentin amerikan të Energjisë. “Qymyri i pastërt është pjesë e së ardhmes. Nuk ka një zgjidhje të vetme për teknologjitë e energjisë. Në se sheh parashikimet, aty nga viti 2050, kërkesa për elektricitet në Shtetet e Bashkuara do të dyfishohet.” Uzina Wabash Valley në Terre Haute, të Indianës është një nga dy uzinat që përdor Ciklin Integral, një teknologji që shndërron qymyrin në gaz sintetik duke e nxehur në temperatura mjaft të larta në këtë cilindër të gjatë. Mbetjet – sulfuri dhe dioksidi i karbonit hiqen dhe shiten si produkte në treg të hapur.

Një tjetër nënprodukt, slag mund të përdoret në materialet e ndërtimit dhe asfaltimin e rrugëve. Ka dy tipe turbinash që gjenerojnë energji me sistemin e Ciklit Integral. Një që punon me gaz natyror dhe një tjetër që punon nga nxehtësia e krijuar nga procesi i shndërrimit të qymyrit në gaz. Përsëri Jared Daniels me Departamentin e Energjisë. “Avantazhi është se nga procesi i shndërrimit të qymyrit në gaz, mund të pastrosh mbetjet helmuese në mënyrë shumë më të efektshme pasi ato janë të koncentruara, pasi ke një turbinë gazi që është shumë më efektive sesa një turbinë me avull”. Por jo të gjithë mendojnë se qymyri duhet të konsiderohet si burim i qendrueshëm i energjisë në të ardhmen. “Ta quash qymyrin të pastërt është thjeshtë propogandë për ta mbajtur këtë burim të papastër të energjisë edhe në të ardhmen. Eric Pica është me grupin ambjentalist Friends of the Earth. Ai pranon se teknologjia e re pakëson ndotjen tradicionale të qymyrit. Por ai shton se kjo është vetëm një pjesë e problemit”.

“Problemi është se këto uzina e marrin qymyrin diku gjetkë. Ata e marrin nga malet e Virginias Perendimore që po hidhen në erë dhe po dëmtohen”, thotë Erik Pica i grupit Friend of Earth. Pica thotë se industria e energjisë ka në plan të ndërtojë 150 uzina me qymyr në mbarë vendin gjatë viteve të ardhshme. Vetëm 20 prej tyre do të jenë me teknologjinë e re. Uzinat me këtë teknologji janë me shpenzime të larta. Jared Daniels pranon se derisa të vendosen standarte për emetimin e gazeve për uzinat e qymyrit, do të ketë pak iniciativë ekonomike për kompanitë energjitike të ndërtojnë uzina me teknologjinë e re. Ai thotë se kjo teknologji është tani mundësia më e mirë për të prodhuar energji nga qymyri. //rd//

XS
SM
MD
LG