Lidhje

Përplasje mes vlerave antike dhe moderne të artit në Greqi


Ruajtja e thesareve moderne apo nxjerrja në pah e historisë antike është temë debatesh sot në Athinë.

Bëhet fjalë për prishjen e dy ndërtesave të shekullit të 20 që ndodhen pranë muzeut të Akropolit dhe që pengojnë pamjen nga brenda muzeumit të tempullit të Partenonit. Njëra nga ndërtesat është një nga thesaret arkitektonike të artit dekorativ, e ndërtuar në vitin 1930, dhe e cilësuar si monument kulture. Tjetra është pronë e kompozitorit Vangelis Papathanassiou, fitues i çmimit Oscar për kolonën zanore në filmin "Chariots of Fire".

Ndërtesa e artit dekorativ me fasadën e mermertë ngjyrë rozë është objekti më i spikatur në rrugën e gjelbër që të çon në Akropol. Ajo u ndërtua nga një diplomant i Akademisë së Arteve Figurative në Paris, dhe mik i Pikasos. Ndërtesa është e zbukuruar me statuja femrash të veshura me kostume tradicionale, të vendosura para portës së hekurt. Problemi qendron në faktin që vizitorët në muzeun e ri Akropolis, që do të përurohet në vitin 2008 do të shohin vetëm pjesën e pasme, jo tërheqëse të ndërtesave. Banorët i quajnë këto ndërtesa monumente me vlerë të arkitekturës së Athinës dhe po i bëjnë thirrje ministrit të Kulturës të mos firmosë rekomandimin për shembjen e tyre.

Debati ka errësuar hapjen e shumëpritur të muzeut të ri të Akropolit, ku pritet të ekspozohen thesare mbi 2 mijë e 600 vjeçare të antikitetit grek. //rd

XS
SM
MD
LG