Lidhje

SHBA përshëndet Shqipërinë për shkatërrimin e armëve të saj kimike


Departmanenti amerikan i Shtetit përshëndeti Shqipërinë për shaktërrimin me sukses të stoqeve të saj me armë kimike. Muajin e kaluar Shqipëria njoftoi se kishte përfunduar procesin e shkatërrimit të një sasie prej 16 tonë armësh kimike, të gjetura në zonën e Qafë Mollës. Kjo sasi, theksuan dje zyrtarët amerikanë në një konferencë për shtyp, është një pjesë e vogël e totalit prej 75 mijë tonësh që gjenden sot në botë, por është një hap në drejtimin e duhur për të realizuar një botë pa armë kimike.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Luftën kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë, Donald Mahley, përgëzoi Shqipërinë mbi kurorëzimin me sukses operacionit për shkatërrimin e armëve kimike, duke u bërë vendi i parë që realizon shkatërrimin e plotë të stoqeve të këtij agjenti vdekjeprurës:

"Shqipëria ka përfunduar tani shkatërrimin e stoqeve të saj të armëve kimike. Ky është vendi i parë që e realizon këtë. Arsenali i Shqipërisë ishte një trashëgimi i kohës së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Stoqet u zbuluan pasi Shqipëria nënshkroi Konventën për Armët Kimike. Shqipëria kërkoi ndihmë nga Agjencia për Pakësimin e Kërcënimeve ndaj Mbrojtjes, një degë e Departamentit amerikan të Mbrojtjes që u angazhua me fonde dhe ekspertë në këtë proces," tha zoti Mahley.

Shqipëria, e cila ka nënshkruar Konventën mbi Armët Kimike, parashikohej të përmbushte shkatërrimin e këtyre stoqeve që në prill, por siç shpjeguan zyrtarët ky proces u vonua për arsye të shqetësimeve mbi rrezikun e ndotjes së mjedisit dhe sigurinë e procesit.

"Arsyeja përse armët kimike të Shqipërisë nuk u eliminuan brenda afatit të 29 prillit, afati fillestar i parashikuar në Traktatin e Armëve Kimike, ishin një numër vështirësish teknike që hasëm gjatë procesit të shkatërrimit të armëve. Një ndër kërkesat e Traktatit të Armëve Kimike është që stoqet të shkatërrohen në një mënyrë që nuk shkakton rrezik apo ndotje mjedisi. Procesi u realizua, pasi u sigurua një shtyrje e afatit fillestar të 29 prillit."

Shqipëria është vendi i parë që ka shkatërruar plotësisht stoqet e saj të armëve kimike. Drejtori i Agjencisë për Pakësimin e Kërcënimeve ndaj Mbrojtjes pranë Departamentit të Mbrojtjes, James Tagnellia, theksoi se ky është një hap i vogël, por pozitiv në drejtimin e duhur për të çliruar plotësisht globin nga armët kimike:

"Sasia e përgjithshme e stoqeve të armëve kimike në botë është rreth 75 mijë tonë. Në Shqipëri kishte 16 tonë armë të tilla. Krahasuar me sasinë e përgjithshme në botë, eliminimi i armëve kimike në Shqipëri megjithëse është një fillim i mbarë, është vetëm fillimi," tha zoti Tegnellia.

Sasia dërrmuese e armëve kimike sot në botë janë në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi, ku kanë filluar prej vitesh operacionet për eliminimin e këtyre stoqeve.

Drejtoi i Agjencisë për Pakësimin e Kërcënimeve ndaj Mbrojtjes pranë Departamentit të Mbrojtjes, James Tegnelia shpjegoi në konferencën për shtyp se tani në Shqipëri ka filluar procesi për pastrimin e objektit ku u asgjësuan armët dhe mjedisit përreth nga lëndët toksike të mbetura gjatë operacionit. Procesi i pastrimit pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti. //ad//

XS
SM
MD
LG