Lidhje

Mendime të ekspertëve amerikanë për statusin e Kosovës


Ndërsa të dërguarit ndërkombëtarë përpiqen të nxisin Prishtinën dhe Beogradin të arrijnë kompromis mes tyre drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës, analistët shprehin mendime të ndryshme lidhur me rrugën më të mirë, që do të çonte në këtë zgjidhje. Kolegja Zamira Edwards bisedoi me ish ambasadorin amerikan në NATO, Robert Hunter, dhe me profesorin e Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Stivën Majër.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Robert Hanter, thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në bisedime konstruktive veç e veç dhe bashkërisht për të gjetur një zgjidhje të çështjes së Kosovës.

“Plani Ahtisari krijon bazën që t’i thuhet “mjaft” konfliktit dhe të ecet përpara, duke e hedhur vështrimin nga e ardhmja, në vend që të flitet gjithnjë për gjëra që lidhen me të kaluarën. Mendoj se Plani Ahtisari nuk duhet ndryshuar, por duhet të bëhen përpjekje për zbatimin e tij, megjithëse një gjë e tillë do të jetë e vështirë”.

Por profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Stivën Majër, thotë se Plani Ahtisari nuk funksionoi, prandaj edhe çështja e Kosovës u tranferua nga Këshilli i Sigurimit tek Grupi i Kontaktit.

Sipas profesorit, Perëndimi, Grupi i Kontaktit dhe Trojka shpresojnë se Prishtina dhe Beogradi do të zhvillojnë negociata të sinqerta dhe të hapura për të gjetur një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Kjo është një mundësi që Beogradi dhe Prishtina duhet të shfrytëzojnë e të jenë të gatshëm për të bërë kompromis, të heqin dorë nga qëndrimet e tyre të patundura, sepse ata po luajnë një lojë shumë të rrezikshme e të papëlqyeshme, që nuk sjell asnjë rezultat. Në qoftë se udhëheqja shqiptare e ajo serbe nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi për negociata konstruktive, dhe nëse vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre diametrikisht të kundërta, në Kosovë do të ketë dhunë, do të shtohet ndërhyrja ushtarake e ndoshta do të zbatohet një zgjidhje e detyruar”.

I pyetur rreth komenteve të një zyrtari të lartë serb se Uashingtoni dëshiron të krijojë një shtet të NATO-s në Kosovë, ambasadori Hunter e cilësoi atë si një ide të çmëndur.

“Ky është një argument qesharak. NATO-ja as që nuk ka një dëshirë të tillë, kemi thjeshtë të bëjmë me një ide të çmëndur. Ajo që po bëjnë NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe i dërguari ndërkombëtar, Marti Ahtisari, është të gjejnë një zgjidhje për një gjendje tepër të vështirë, një zgjidhje që do të mbronte të gjithë popullatën dhe do të krijonte bazën e paqes, demokracisë, sigurisë dhe begatisë ekonomike”.

Departamenti amerikan i shtetit i hodhi poshtë si të pabaza e të padobishme komente të tilla, duke thënë se është ekzagjerim të krahasohet Plani Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur me plane për një shtetet të NATO-s në Kosovë. Departamenti i shtetit përsëriti qëndrimin amerikan në mbështetjen të pavarësisë së Kosovës. Por sipas profesor Majër, qëndrimi i pandryshuar i Uashingtonit në mbështetje të pavarësisë së Kosovës nuk përputhet me realitetin.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar. Uashingtoni ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe jo ndarjen për një kohë shumë të gjatë. Është gjithashtu e mundur që Shtetet e Bashkuara ta njohin Kosovën në mënyrë të njëanshme si shtet të pavarur në përfundim të peridhës 120 ditëshe. Mendoj se një vendim i tillë nga ana e Uashingtonit do të tendoste marrëdhëniet me aleatët evropianë dhe do të tregonte se Shtetet e Bashkuara nuk duan ta kthejnë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç duan evropianët. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk është në përputhje me realitetin dhe me dinamikën e zhvillimit të ngjarrjeve. Mendoj gjithashtu se pozita e amerikanëve është dobësuar që kur çështja e Kosovës iu kalua Grupit të Kontaktit”.

Por Rusia nga ana tjetër vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. I dërguari i posaçëm rus për Kosovën, Alexander Botsan Karshenko, pranoi dje se do të jetë shumë e vështirë që serbët dhe udhëheqësit shqiptarë të Kosovës të bien dakort lidhur me statusin gjatë raundit të ri të negociatave. Ambasadori Hunter thotë se Rusia duhet të luajë rol konstruktiv në bisedimet për statusin e Kosovës, sepse një gjë e tillë është si në interes të saj edhe të Serbisë.

“Rusët duhet të luajnë rol konstruktiv dhe të hyjnë në histori si të tillë. Rusia po e përdor çështjen e statusit të Kosovës për t’i treguar NATO-s dhe Perëndimit se ka më shumë ndikim sesa ka në fakt. Nëse Rusia synon të ketë sukses në botë si fuqi e rëndësishme, ajo nuk mund ta arrijë këtë duke e izoluar veten nga pjesa tjetër e botës. Rusët duhet ta kuptojnë se nëse duan të jenë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe të përfitojnë nga kjo pozitë, ata duhet të njohin realitetit dhe mbi të gjitha të heqin dorë nga praktika e shfrytëzimit të Kosovës si një top futbolli politik. Me një qëndrim të tillë ata do të humbasin. Ata duhet të synojnë të jenë fitimtarë, duke qëndruar në anën e drejtë të historisë, gjë që do të ndihmojë edhe Serbinë”.

Si ambasadori Hunter edhe profesori Majër janë të një mendimi se si Prishtina edhe Beogradi duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre më mirë herët se sa vonë dhe t’i përqëndrojnë energjitë e tyre tek e ardhmja. Por se si do të arrihet në këtë pikë asnjëri prej tyre nuk e ka të qartë. //ze//

XS
SM
MD
LG