Lidhje

Senatori Xhon Uornër i bën thirrje presidentit Bush të tërheqë disa trupa amerikane nga Iraku deri në dhjetor


Një ligjvënës i shquar amerikan i bëri thirrje presidentit Bush të tërheqë disa trupa amerikane nga Iraku deri në dhjetor. Senatori republikan Xhon Uornër tha dje se zoti Bush mund të sjellë në atdhe gati 5 mijë trupa për të nxitur qeverinë irakiane drejt një ribashkimi politik dhe të tregojë se angazhimi amerikan në Irak nuk është pa pund.

Senatori Uornër, ligjvënës me emër i partisë republikane në komisionin e fuqishëm të Senatit për forcat e armatosura tha se Presidenti duhet të njoftojë tërheqjen e trupave më 15 shtator, pas raportit që do të paraqitet në Kongres për përparimin e bërë në Irak. Zoti Uornër tha se ai nuk mbështet një afat kohor të përcaktuar për tërheqjen e trupave nga Iraku dhe theksoi se ky vendim i takon presidentit.

Ndërkohë zyra e Vlerësimit të Zbulimit Kombëtar amerikan tha se niveli i dhunës së kryengritjes në Irak do të vazhdojë i lartë për gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm. Raporti thotë se gjendja e sigurisë në Irak është përmirësuar, por qeveria e kryeminstrit Nuri al-Maliki nuk është ende në gjendje të qeverisë me efektshmëri.

Përfundimet e raportit vijnë në një kohë që po shtohen kritikat nga politikanët amerikanë për qeverinë e Irakut.

Komuniteti i zbulimit gjeti “përmirësime të ndjeshme por jo në çdo aspekt” të sigurisë në Irak, për periudhën që nga raporti i fundit në janar. Llogaritjet e fundit tregojnë se forcat e koalicionit që punojnë me forcat irakiane, elementë fisesh dhe disa kryengritës suni kanë bërë përparim në kufizimin e lëvizjeve të al-Kaidës në Irak. Por raporti thotë gjithashtu se niveli i përgjithshëm i dhunës mbetet i lartë.

Këtu në Washington senatori republikan John Warner tha se ka ardhur koha të tërhiqen sipas fjalëve të tij, “dhëmbë të rëndësishëm” nga këmbëngulja e administratës që thotë se trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak për një kohë të pacaktuar. Ai sugjeroi që zoti Bush të njoftojë ndoshta që muajin e ardhshëm fillimin e tërheqjes amerikane.

“I them presidentit me respekt të zgjedhë çfarëdo numri që dëshiron – ndoshta 5 mijë mund të jetë fillimi i ridislokimit për tu kthyer pranë familjeve të tyre jo më vonë se Krishlindjet këtë vit”.

Qeveria nxori vetëm një përmbledhje të raportit të zbulimit pasi pjesa tjetër e raportit mbetet sekrete. Aty thuhet se qeveria e zotit Maliki nuk ka qënë në gjendje të arrijë pajtimin politik midis fraksioneve rivale sektare. Në raport thuhet gjithashtu se dhështimi sinjalizon një qëndrueshmëri të pasigurtë për administratën e zotit Maliki gjatë 6 apo 12 muajve të ardhshme.

Këto vlerësime vijnë para një raporti të gjeneralit amerikan David Petreas dhe ambasadorit Rajën Krokër që zoti Bush do t’ja dërgojë Kongresit muajin e ardhshëm. Ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar që Iraku të përmbushë disa standarte në këmbim të vazhdimit të financimit të luftës. //ze//

XS
SM
MD
LG