Lidhje

Pavarësia e Kosovës kompromis i panegociueshëm


Gjykuar nga vizita e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Wolgang Ischinger, treshja e grupit të Kontaktit që do të drejtojë negociatat për statusin e Kosovës, vetëm do të dëgjojë Prishtinën dhe Beogradin.

Zoti Ischingher mbrëmë dhe sot është takuar me udhëheqësit politikë të Kosovë por nuk ka thënë asnjë fjalë. Brenda takimeve ai thuhet ta ketë cilësuar vizitën e tij si një mision fakt mbledhës para raundit të ri të negociatave që do të zhvillohen në Vjenë më 30 gusht.

Treshja e Grupit të Kontakti ku janë të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia nuk do të bëjë asnjë propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës por do të kërkojë nga të dyja palët që të dalin me propozimet e tyre. Palët ndërkaq mbeten në qëndrime të palëkundura. Beogradi synon të ruajë sovranitetin e tij mbi Kosovën, ndërsa Prishtina i ka përsëritur zotit Ischinger qëndrimin se pavarësia është e pa negociueshme. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i vetmi që foli pas takimit me zotin Ishinger tha se propozimi për Kosovën e pavarur nën mbikëqyrjen civile ndërkombëtare është kompromisi i Prishtinës nga i cili nuk mund të lëvizet. “Kërkuam gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të ketë përgjigje menjëherë pas 10 dhjetorit për realitetin e ri kosovar. Një përgjigje unike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian, sepse, Kosova edhe si e pavarur menjëherë pretendon t’i filloj angazhimet shtesë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi zoti Thaçi.

Ndërkaq po sot, pas një takimi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se 120 ditët e bisedimeve duhet të shfrytëzohen për bërë Kosovën gati për pavarësinë e saj dhe kjo është një nga përparësitë kryesore të punës së institucioneve të saj. “Ne në këtë periudhë 120ditëshe duhet të bisedojmë për arritjen e konsensusit apo unitetit brenda Bashkimit Evropian, për ta njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 10 dhjetorit, por duhet gjithashtu ta arrijmë konsensusin e brendshëm që ta shpallim pavarësinë, menjëherë pas 10 dhjetorit. Kështu që këtë periudhë ne do ta shfrytëzojmë që bashkërisht ta caktojmë edhe datën edhe mënyrë dhe ta harmonizojmë apo koordinojmë këtë me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar”, tha kryeministri Çeku.

Ndërsa shefi i Misionit të Kombeve të bashkuara Joachim Ruecker tërhoqi vërejtjen se Prishtina duhet të përmbushë detyrat e saj të shtëpisë, por nuk duhet të flitet para kohe për përmbylljen e procesit. “Nëse hyni në shumë spekulime dhe deklarime atëherë natyrisht e dëmtoni procesin aktual që nuk është synim as i qeverisë e as i ekipit të unitetit”, tha zoti Ruecker duke bërë thirrje që të mos bëhen parashikime por të ndihmohet zhvillimi i procesit politik.

Më 30 gusht, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të shkojnë në Vjenë për t'u takuar ndarazi me treshen e Grupit të Kontaktit. Ky i fundit mori përsipër procesin për zgjidhjen e statusit, pas dështimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. //rd//

XS
SM
MD
LG