Lidhje

Socialistët zgjedhin kandidatin e tyre për zonën 31 të Tiranës


Tashmë konkurrentët kryesor për postin e mbetur vakant në parlament janë përcaktuar dhe beteja politike e 23 shtatorit, ditës së zgjedhjeve në zonën 31 në Tiranë mund të konsiderohet e nisur.

Pas të djathtës, sot ishin socialistët të cilët përzgjodhën kandidatin e tyre. Ai është këngëtari i njohur Luan Zhegu, i angazhuar prej kohësh politikisht me të majtën, në emër të së cilës ai fitoi dhe drejtoi për 6 vjet njësinë bashkiake që përfshin zonën ku tani ai kërkon votat për deputet. Duket se ky moment shihet si një pikë e fortë nga socialistët: “Nuk shohim me kë paraqitet e djathta – deklaroi kryetari socialist Edi Rama - shohim se jemi tërësisht në dispozicion të qytetarëve me një kandidat që i kapërcen kufijtë e së majtës, që vjen nga një traditë qeverisëse si kryetar i njësisë Bashkiake për 6 vjet rresht e që ka parë përtej barrikadave politik”.

Edhe zoti Zhegu e vlerëson këtë si një avantazh bashkë me faktin se ai është banor i asaj zone: “I vlerësoj të dy kandidatët për karrierën e tyre. Avantazhi im është se kam fituar dy herë, jam lindur e rritur në atë lagje e i kam prekur me dorë problemet e njerëzve ku unë banoj”. Por të qenurit prej shumë vitesh banor në zonën ku do të zhvillohen zgjedhjet e konsideron si një element të favorshëm edhe kandidati demokrat Edi Paloka.

Përveç kësaj, zona 31 konsiderohet tradicionalisht me tendencë nga e djathta. Në zgjedhjet e fundit presidenti aktual Bamir Topi fitoi me afër 3700 vota diferenca ndaj kandidates socialiste. Për më tepër zoti Paloka mund të favorizohet dhe nga fakti se përfaqëson partinë në pushtet gjë e cila mund të bëjë që qytetarët të shohin te ai mundësi më të shumta për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Por në ndryshim nga zgjedhjet e vitit 2005, kandidati demokrat do të ketë edhe një rival nga e djathta. Kryetarin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi, një politikan i njohur dhe nga një familje tiranase. Hyrja e tij në garë mund të sjellë një ndarje të votave të së djathtës. Për zjedhjet e 23 shtatorit Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi sot buxhetin prej afër 50 mijë dollarësh. Ndërsa pasdite pritet të miratojë përbërjen e komisionit zonal, ngritja e të cilit dështoi dje për shkak të parregullsive në dokumentacion. //rd//

XS
SM
MD
LG