Lidhje

Gjeneralmajori Linç sfidon Senatorin Uorner

  • Sindi Sejn
  • Uashington

Komandanti i Shteteve të Bashkuara në një prej rajoneve më të trazuara Irak, e hodhi poshtë thirrjen e ligjvënësit republikan me influencë, senatorit Xhon Uorner, për fillimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit. Gjeneralmajori i ushtrisë amerikane, Rik Linç dha dje një videokonferencë për gazetarët nga Iraku. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sindi Sejn njofton nga Uashingtoni:

Gjeneralmajori Linç është komandant i forcave të koalicionit në jug të Bagdadit. Në një videokonferencë që dha për gazetarët amerikanë në Pentagon, ai hodhi poshtë sugjerimin e senatorit Uorner për tërheqjen e trupave, që ishte shumë i papritur për shumë politikanë në Uashington.

"Në zonën ku unë shërbej, në se ushtarët do të largoheshin tani, pasi kanë luftuar me forcë në këtë terren, duke i detyruar armiqtë të largohen prej andej, ajo që do të ndodhte, do të ishte kthimi përsëri i armiqve. Ata do të fillonin përsëri të ndërtonin bomba dhe të kryenin me to sulme ndaj banorëve lokalë dhe kjo dhunë do të eksportohej deri në Bagdad. Ky do të ishte një hap jashtëzakonisht i madh prapa."

Komandandi Linç tha se forcat e tij po luftojnë si kundër ekstremistëve shiitë, edhe ndaj atyre suni dhe në të njëjtën kohë, ato po ndeshen edhe me elementët që depërtojnë në atë rajon nëpërmjet Iranit. Ai tha se tërheqja e disa prej trupave nga Iraku mund të jetë diçka e realizueshme pranverën, apo verën e ardhshme, në se atje arrihet përparim i rëndësishëm.

Komandanti Linç, në mënyrë specifike, hodhi poshtë sugjerimin e zotit Uorner, që disa mijëra trupa amerikane të kthehen në shtëpi deri në fund të vitit.

"Vetëm kur forcat irakiane të sigurisë të thonë “jemi të gatshme, për të qenë ushtria dhe policia e Irakut”, atëhere ne mund të largohemi nga rajoni dhe kjo nuk do të mund të ndodhë deri për Krishtilindje" , - tha Senatori Linç.

Senatori Uorner, anëtari më i lartë republikan në Komisionin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit, i bëri thirrje të enjten Presidentit Bush të shpallë fillimin e tërheqjes së trupave nga Iraku më 15 shtator.

“...Të shqyrtojë nevojën për t’i dërguar një mesazh të prerë dhe të qartë mbarë rajonit, Shteteve të Bashkuara dhe ky të jetë një mesazh që të mund ta kuptojnë njerëzit. Mendoj se nuk ka formë më të të qartë për ta realizuar këtë, se sa shpallja nga presidenti më 15 shtator, se pas konsultimit me komandantët e lartë ushtarakë, ai ka vendosur të ndërmarrë hapat e parë për tërheqjen e turpave amerikane nga Iraku.”

Senatori Uorner, që e ka mbështetur me forcë luftën në Irak, tha se do të jetë një vendim i Presidentit se sa prej 160 mijë trupave amerikane në Irak do të tërhiqen. Ai tha se tërheqja do të ishte një mënyrë për të ushtruar presion ndaj qeverisë irakiane, që të marrë masa drejt pajtimit politik në vend.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti po pret të dëgjojë rekomandimet që do të bëjë komandanti i përgjithshëm i trupave amerikane në Irak, David Petreas dhe ambasadori amerikan atje, Rajen Kroker. Raportimi pritet të bëhet deri më 15 shtator dhe me përmbajtjen e tij do të njihet edhe Kongresi amerikan.

Gjenerali Linç i bëri këto komente një ditë pas publikimit të një raporti të ri të agjencive amerikane të zbulimit, ku thuhej se forcat irakiane nuk mund ta përballojnë dot të vetme dhunën e tanishme në Irak, pa vazhdimin e ndihmës së trupave amerikane.

Në raportin e agjencive të zbulimit, thuhet po ashtu, se çdo tërheqje e forcave amerikane, apo ndryshim i rolit të tyre nga ai luftarak në atë mbështetës të forcave irakiane, do të minonte arritjet në gjendjen e sigurisë, të cilat janë realizuar gjatë operacionit që kanë filluar trupat amerikane në Irak.//lk

XS
SM
MD
LG