Lidhje

Shqipëri: Rritja e temperaturave riaktivizon zjarret


Në Shqipëri rritja e temperaturave të ditëve të fundit ka riaktivizuar zjarret. Disa vatra të rrezikshme janë identifikuar sot kryesisht në veri por edhe në pjesën qendrore dhe juglindore në Elbasan, Librazhd e Korcë. Flakët kanë përfshirë territore në zona malore duke vështirësuar punën për shuarjen e tyre. Autoritetet janë detyruar të kërkojnë sërish sot ndërhyrjen e një avioni cisternë nga Italia i cili ka nisur operacionet pasdite.

Temperaturat përvëluese kanë favorizuar rikthimin e zjarreve të rrezikshme në vend. Situata e cila dukej se ishte qetesuar, mori një kthesë të papritur ditët e fundit kur Shqipëria u përfshi sërish nga një valë të nxehti afrikan. Vatra problematike zjarri janë identifikuar në Veri dhe në jug, por më shqetesuese gjendja shfaqet në Kukës, Dibër, Mirditë dhe Bulqizë. Bëhet fjalë për zjarre masive dhe një situatë kritike vecanërisht në Orosh, apo dhe në Lurë. Këtu zjarret ishin shuar që prej një jave por ato u rishfaqën sot në tre vatra. Në jug gjithashtu janë sinjalizuar vatra në zonën e Korcës dhe Devollit. Ndërsa pasdite u njoftua për zjarr edhe në Elbasan në malet e Polisit si dhe në Qukës, mes Librazhdit dhe Përrenjasit.

Drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli bëri sot thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, vecanërisht banorët e zonave ku janë shfaqur vatrat e zjarrit duke kërkuar që në cdo rast të njoftohen menjëherë autoritetet. Zoti Olli konfirmoi se për fat të mirë deri më tani nuk ka patur asnjë viktimë nga zjarret apo shtëpi të djegura.

Ajo që e bën shqetësuese gjendjen është fakti se flakët janë përhapur në zona të thella malore dhe me shtrirje të gjer duke përfshirë pyje e ku ndërhyrjet me mjete tokësore janë të pamundura.

Autoritetet u detyruan të kërkojnë sërish ndihmë nga Italia. Sot në mesditë mbërriti një tjetër avion i Mbrojtjes Civile italiane i cili menjëherë nis operacionet nga ajri për shuarjen e flakëve në zonat problematike të veriut.

Shqipëria, si asnjëherë tjetër është përfshirë nga flakët që prej fillimit të muajit qershor. Mbi 1000 vatra zjari janë regjistruar në të gjithë vendin. Gjendja u bë alarmanet në fund të muajit korrik. Dhe tashmë është rikthyer shqetësimi i përsëritjes së asaj situate për shkak të temperaturave të larta që kanë mbërthyer të gjithë vendin. Nga ana tjetër nuk munmgojnë edhe zjarrvëniet e qëllimshme. Deri në fillim të javës së shkuar 45 persona ishin arrestuar ndërsa këto ditë kësaj liste i janë shtuar edhe persona të tjerë. Sipas ligjeve shqiptare zjarrvënie mund të dënohet deri me 10 vjet burgim.//kk//

XS
SM
MD
LG