Lidhje

Çollaku: Serbët po përpiqen të legalizojnë ndarjen e Kosovës


Zëvendës ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Kreshnik Çollaku, i tha Zërit të Amerikës se ka një aktivizim të jashtëzakonshëm të diplomacisë serbe të mbështetur nga ajo ruse për të bllokuar dhe zvarritur më tej procesin e statusit të Kosovës. “Karta që po luhet fort nga diplomacia serbo-ruse është se ata kërkojnë dhe e kushtëzojnë procesin e statusit me një të ashtuquajtur kompromis dhe kjo manovër diplomatike e tyre po jep efekt në favor të tyre.”

Zoti Çollaku tha se pozicioni i shqiptarëve në këtë proces duhet të jetë i qartë: “Kosova dhe pjesë të tjera të Shqipërisë forcërisht u ndanë nga Shqipëria para një shekulli dhe iu bashkangjitën, jo për vullnet të shqiptarëve, shteteve të tjera. Në asnjë moment shqiptarët që mbetën jashtë Shqipërisë zyrtare nuk e pranuan këtë ndarje. Ata gjithmonë e kanë kundërshtuar dhe ka patur gjithmonë lëvizje në kundërshtim të kësaj dhe në kërkim të një rikthimi të natyrshëm në trojet që u takonin. Kërkesa për pavarësi është kompromisi më i skajshëm që të kenë bërë jo vetëm shqiptarët por ndonjë popull ose komb në rajon apo edhe më tej.”

Zoti Çollaku tha se në bazë të qëllimeve diplomatike serbo-ruse duket se qendron krijimi i Serbisë së Madhe. “Tezat për ndarje të Kosovës janë jo vetëm teza por një proces që po realizohet në Mitrovicë. Ajo që po përpiqen të bëjnë serbët nuk është ndarja sepse ata kanë kohë që po punojnë për ndarjen. Ata po përpiqen të legalizojnë ndarjen e Kosovës.”

Zoti Çollaku tha se bëhet fjalë për një spastrim etnik të butë pra jo nëpërmjet armatave. “Mendoj se kjo bën që çështja e Kosovës të shihet jo më si çështje vetëm e Kosovës dhe e kosovarëve. Mendoj se në një skenar ndarjeje apo bllokimi të Kosovës, katandisje të Kosovës në një lloj Palestine në Ballkan, kjo çështje del nga titulli i kosovarëve dhe kthehet në një çështje të shqiptarëve në rajon. Në këtë plan ne kemi një precedent të shkëlqyer që është reagimi “një komb, një qendrim”,” tha zëvendës ambasadori i Shqipërisë në Uashington.//ii

XS
SM
MD
LG