Lidhje

Indi: 38 të vrarë dhe 60 të plagosur nga 2 shpërthime në Hyderabad të Andra Pradeshit

  • Anjana Pasrisha

Autoritetet në shtetin Andra Pradesh në Indinë jugore thonë se të paktën 38 veta kanë humbur jetën nga 2 shpërthime në zona të frekuentuara prej publikut në kryeqytetin Hyderabad. Ata thanë se mbi 60 veta u plagosën nga shpërthimet, të cilët ndodhën thuajse në të njëjtën kohë.

Policia tha se brënda pak minutash, shpërthimet shkatërruan një restorant në anë të rrugës dhe një park argëtimi në Hyderabad. Qindra njerëz ndodheshin në këto dy pika popullore.

Një shfaqje plot me njerëz po jepej në parkun e argëtimit kur shpërthimi e përfshiu atë. Njerëzit, që shpëtuan gjallë, thanë se karriget u hodhën në erë nga fuqia e shpërthimit, ndërkohë që restoranti u shkatërrua plotësisht.

Kryeministri i shtetit Andra Pradesh, Y.S. Rajasekara Redi, i cilësoi shpërthimet një sulm terrorist dhe u bëri thirrje njerzve që të ruajnë qetësinë.

Sekretari i Brëndshëm i Andra Pradeshit, K. Jana Redi, tha se këto ishin sulmet më të rënda në kryeqytetin Hyderabad.

“Ky është një incident i trishtueshëm e i rëndë në historinë e Hyderabadit. Qeveria ime e dënon atë fuqishëm.”

Sekretari indian i Punëve të Brëndshme, Madukar Gupta, tha se është tepër herët të përcaktohen autorët e shpërthimeve.

“Kjo që ndodhi duhet dënuar ashpër dhe trajtuar me gjithë seriozitetin që i takon. Lidhur me shpërthimet do të bëhen të gjitha hetimet përkatëse.”

Policia tha se më vonë gjeti 2 bomba të tjera të pashpërthyera në zona të tjera të qytetit të Hyderabadit, njëri prej qyteteve më të mëdha të Indisë si dhe një qendër e rëndësishme e teknologjisë informatike. Ky qytet ka një popullsi të madhe myslimane si dhe një histori përleshjesh midis hinduve dhe myslimanëve.

Por shpërthimet e djeshme ndodhën në dy pika të frekuentuara si nga hindutë ashtu edhe nga myslimanët. Kjo është hera e dytë që qyteti goditet nga terroristët. Në maj të këtij viti, 11 veta u vranë nga shpërthimi në një xhami.

Edhe qytete të tjerë kanë përjetuar sulme të ngjashme. Më i rëndi ndodhi vitin e kaluar në Mumbai, ku një seri shpërthime bombash tronditën rrjetin hekurudhor të qytetit, duke shkaktuar rreth 200 të vrarë.

Në të kaluarën, policia dhe ekspertët e sigurimit kanë fajësuar për sulmet grupet islamike ekstremiste me bazë në Pakistan. //ze//

XS
SM
MD
LG