Lidhje

Njësia e re amerikane e KFOR-it e përgatitur për sfidat e Kosovës


Pas disa javësh në Kosovë do të shkojë njësia e re amerikane e KFOR-it që do të zëvendësojë atë ekzistuesen. Komandanti i saj thotë se forca që ai drejton është e angazhuar të përballojë me profesionalizëm sfidat e sigurisë në Kosovë në këto momente të rëndësishme kur janë duke u përgatitur zjedhjet dhe vazhdojnë bisedimet për statusin. Brigadier gjeneral John Davoren foli për këto sfida nga baza e tij në Atlanta.

Njësia e drejtuar nga gjeneral Davoren është e nënta që shkon në Kosovë në kuadrin e KFOR-it. Gjenerali i njësisë thotë se njësia e tij do të punojë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë brenda KFOR-it dhe se misioni i përbashkët i forcës ndërkombëtare atje është krijimi i një ambjenti të sigurt. Ai thotë se ky objektiv do të realizohet me dinjitet dhe respekt për gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne po vazhdojmë të garantojmë një ambjent të sigurt, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon procesin e përpjekjeve për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës”.

Gjenerali përmend si sfida mes së cilave bashkëpunimi dhe koordinimi me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tjera që funksionojnë në Kosovë.

“Gjithashtu ne do të punojmë edhe në kuadrin e zhvillimeve të rëndësishme që po afrohen dhe të punojmë me gjithë agjencitë dhe komunitetin ndërkombëtar në përpjekje për t’i zgjidhur ato. Ne e dime që dy zhvillimet më të afërme ku është përqendruar vëmendja e shumë njerëzve në Kosovë janë zgjedhjet në fund të nëntorit, si edhe shqetësimi për atë që do të ndodhë në fund të periudhës 120 ditore të negociatave”.

Duke iu referuar këtyre shqetësimeve ai thotë se njësia e tij, së bashku me forcat e tjera do të përpiqet të largojnë shqetësimet që kanë banorët duke vazhduar të demonstrojë aftësinë e forcave në Kosovë për të reaguar ndaj çdo lloj problemi. Megjithëse njësia e re që do të dislokohet në Kosovë nuk ka marrë ndonjë detyrë të veçantë krahasuar me forcat e mëparshme, megjithëse periudha e tanishme është më kritike politikisht, gjeneral brigadier Davoren thotë se ajo është e përgatitur për situatën.

“Ne kemi studiuar me kujdes disa nga ngjarjet e mëparshme veçanërisht protestat që ndodhën në shkurt, për të parë se ç’mund të bëjmë për të qenë më të përgatitur”.

Njësia e re përbëhet nga rreth 1 mijë e 300 trupa amerikane, kryesisht e përbërë nga anëtarë të gardës dhe rezervistë. Komandanti i saj, Davoren do të drejtojë gjithashtu edhe 800 forca të vendeve të tjera. Ai thotë se ushtarët e komanduar prej tij dhe ai vetë janë plotësisht të angazhuar për parimin që të gjithë qytetarët duhet të jenë të sigurt në shtëpitë e tyre. Duke iu përgjigjur shqetësimeve për pakësimin e angazhimit ushtarak amerikan, brigadier gjeneral Davoren thotë se Shtetet e Bashkuara e kanë identifikuar tashmë forcën që do të pasojë njësinë e tij e cila do të qëndrojë në Kosovë për nëntë muaj.

Ajo do të komandohet nga gjenerali Larry Kay. Ai i tha të dielën Zërit të Amerikës se njësia e tij, e cila do të shkojë në Kosovë pas 9 muajsh, do të jetë e krahasueshme në përmasa me atë që do të niset së shpejti. Ai shtoi se misioni nuk do të ndryshojë, ata do të vazhdojnë të garantojnë shtetin ligjor dhe mjedis të sigurt.//kk//

XS
SM
MD
LG