Lidhje

Kryeministri irakian Al-Maliki u përgjigjet kritikave të disa ligjvënësve amerikanë

  • Paola Ufson
  • Uashington

Kryeministri irakian Nuri Al-Maliki po u përgjigjet disa kritikave në adresë të tij nga një numër politikanësh në Shtetet e Bashkuara. Disa ligjvënësish me emër të Senatit amerikan kanë bërë thirrje për largimin nga posti të kryeministrit irakian. Të ndjekim për hollësi korrespondenten e Zërit të Amerikës, Paola Ufson:

Kryeministri Maliki foli për kritikat e drejtuara ndaj tij në një konferencë shtypi që dha dje në Bagdad. Në mënyrë specifike, ai përmendi senatoren e Nju Jorkut, Hillari Klinton, kandidate për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate në zgjedhjet presidenciale, si dhe Kryetarin e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, senatorin e Miçiganit, Karl Levin.

Të dy këta ligjvënës ameirkanë kanë bërë thirrje për largimin nga pushteti të zotit Al-Maliki. Kryeministri tha se ata nuk e kuptojnë situatën politike në Irak. Ai tha se ligjvënësit “duhet të përmenden” dhe mos ta trajtojnë më Irakun, sipas fjalëve të tij, “si të ishte një fshat i tyre”.

Në një numër intervistash që dhanë dje në televizionet amerikane, disa senatorë nga të dyja partitë politike, shprehën shqetësim lidhur me ritmin e përparimit politik në Irak, megjithëse disa prej tyre thanë se faji nuk bie domosdo direkt mbi zotin Maliki.

Në një intervistë që dha për televizionin Fox News, ligjvënësi demokrat i shtetit Rhode Island, Xhek Rid, tha se ekzistojnë arsyet për të kritikuar udhëheqjen politike në Irak:

"Jam i mendimit se kritikat janë të drejta. Por ato nuk duhen drejtuar ndaj një personi të vetëm. Nocioni, që në se Maliki largohet nga posti, gjithshka do të shkojë mirë, mendoj se i ndryshon drejtimin, problemeve të vërteta. Dhe ato janë, se kapaciteti institucional në Irak, aftësia për realizimin e gjërave, si kontratat për investime, sigurimi i shërbimeve civile për njerëzit, të gjitha këto, ende nuk po funksionojnë atje, pas 4 vjet lufte" ,- tha zoti Rid.

Një rebublikan me influencë në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, ish-kryetari i këtij komisioni, Senatori i Virginias, Xhon Uorner, u vu në qendër të vëmendjes javën e kaluar, kur i kërkoi Presidentit Bush të fillojë tërheqjen e disa trupave amerikane nga Iraku deri në fund të vitit.

Zoti Uorner tha në një intervistë për televizionin NBC se shtimi i trupave amerikane në Irak ishte menduar se do t’u jepte kohë irakianëve të bënin përparim, por qeveria e zotit Maliki nuk i ka plotësuar aspak detyrimet e veta:

"Qeveria e udhëhequr nga zoti Maliki dhe të tjerë udhëheqës irakianë ka dështuar plotësisht ta kryejë punën e vet, si pjesë e partneritetit me ne, pra për vendosjen e një gjendjeje më të mirë të sigurisë në Irak",- tha zoti Uorner

Por të tjerë ligjvënës republikanë thonë se komentet e zotit Warner nuk do të thotë se anëtarët e partisë republikane janë të gatshëm për ta dezertuar politikën e Presidentit Bush në Irak. Në një intervistë që dha në programin e televizionit ABC, “ This Week”, senatori Xhon Kornin i Teksasit, tha se zoti Uorner, me komentet e javës së kaluar, kishte shprehur shqetësimin e tij personal ndaj ritmit të përparimit në Irak:

"Senatori Uorner është patriot i mirë dhe ai e ka studjuar historine, por me komentet e tij, ai po u dërgon irakianëve sinjalin se durimi ynë ka një kufi dhe kështu është. Por unë nuk jam i mendimit se është në interesin tonë, që t’i bëjmë kaq shumë presion qeverisë së re irakiane, sa që ajo të bjerë nga pushteti",- tha zoti Kornin.

Lufta në Irak do të jetë çështja kryesore në rendin e ditës të Kongresit, kur ligjvënësit të rikthehen në Washington nga pushimet, pas rreth një jave. Disa ditë më vonë, komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali David Petreas dhe ambasadori amerikan në Irak, Rajen Kroker, do t’i raportojnë Kongresit mbi përparimin e bërë në Irak, që nga mbërritja atje e 30 mijë trupave amerikane shtesë.//lk

XS
SM
MD
LG