Lidhje

Turqi: Ashpërsohen debatet për çështjen e veshjes islamike


Ministri i jashtëm i Turqisë, Abdulla Gul duket se do të realizojë këtë javë ëndrrën e tij për t’u zgjedhur president i vendit. Nesër, parlamenti zhvillon votimin vendimtar për kandidaturën e zotit Gul dhe partisë në fuqi i duhet vetëm shumica e thjeshtë për të arritur fitoren. Në Turqi, ushtria - tradicionalisht laike dhe qeveria e tanishme me prirje islamiste, kanë kohë që grinden për çështje të tilla si emërimi i zyrtarëve me bindje islamiste apo roli i ushtrisë në politikë. Por tani që votimi vendimtar po afrohet, ajo që po i nxeh më shumë gjakrat është debati për shamitë e kokës.

Nëse Abdulla Gul fiton në votimin e nesërm, i cili është vendimtar për zgjedhjen e presidentit, gruaja e tij Hayrunnisa do të bëhet e para bashkëshorte e një presidenti që mban këtë veshje islamike.

Ajo e mban hixhabin, shaminë që mbulon kokën dhe qafën që kur ka qenë fare e re dhe është bërë ndër propagandistet kryesore të saj.

Kjo ka ngjallur një stuhi debatesh mes atyre që e shohin hixhabin si simbol të Islamit politik dhe të tjerëve që thjesht e quajnë atë një porosi që vjen nga Zoti.

Laikët janë të shqetësuar për idenë që një grua me shaminë islamike të kokës mund të hyjë tani në atë pallat presidencial i cili dikur ishte selia e babait të Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk, udhëheqës mjaft i respektuar dhe vendosmërisht laik i vendit.

Të tjerë mendojnë se ardhja e Hayrunnisës në pallatin presidencial mund t’i ndihmojë myslimanët e Turqisë të ndihen më të përfshirë në shoqërinë turke.

Ja si shprehet Neriman Jashar, e cila sapo ka mbarur universitetin dhe mban hixhabin. "Shumë njerëz në Turqi shihen me sy të keq për shkak të shamisë së kokës. Ngritja e zonjës Hayrunnisa Gul në një prej posteve më prestigjoze të vendit mund t’i çlirojë pak gratë myslimane, t’i lejojë ato të përfshihen në jetën shoqërore dhe ndoshta t’u japë besim në vetvete.”

Një stiliste e njohur turke ka thënë kohët e fundit se asaj i është kërkuar nga zonja Hayrunnisa Gul të krijojë një variant modern të shamisë së kokës, njoftim që më vonë u mohua nga ndihmësit e zonjës Gul.

Në lagjen e pasur Nishantash të Stambollit, një banore me emrin Hatixhe Denizçi thotë se nuk e shqetëson aspak fakti që zonja Gul mban shaminë e kokës në cilësinë e gruas së një ministri të jashtëm.

Por ajo thotë se do të kishte rezerva nëse zonja Gul mban veshjen islamike në skenën e politikës ndërkombëtare si zonjë e parë e Turqisë. "Le të supozojmë se jepet një pritje ku të gjithë janë veshur në stilin modern. Mua nuk do të më pëlqente nëse ajo del aty e veshur sikur të ishte nga Arabia Saudite".

Leyla Melek Çifçi, kryeredaktore e revistës “Kozmopolitan” në turqisht, thotë se imazhi i zonjës Gul nuk pasqyron mënyrën se si e shikon veten Turqia moderne. "Ne në Turqi e konsiderojmë veten shumë moderne, shumë perëndimore dhe natyrisht një imazh i tillë i zonjës së parë nuk përputhet me këtë mënyrë moderne që ne na pëlqen ta ndjejmë veten".

Shamia e kokës është e ndaluar në zyrat qeveritare dhe në shkolla dhe laikët e shohin idenë që zonja e parë të mbajë një shami të tillë si një sfidë ndaj rrugës moderne që Ataturku projektoi për Turqinë.

Shumë njerëzve u kujtohet kur Hayrunnisa Gul apeloi pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të drejtën e veshjes së hixhabit në një universitet dhe janë të shqetësuar se ajo mund ta verë presidencën në ndikimin islamik.

Ata flasin gjithashtu me ironi për idenë që një grua me veshje islamike të përfaqësojë një shtet laik i cili kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Nëse zoti Gul zgjidhet president, një nga provat e para për të do të jetë nëse do ta marrë apo jo gruan e tij në një ceremoni ushtarake që do të zhvillohet më 30 gusht ku ndalohen shamitë islamike të kokës.//ii

XS
SM
MD
LG