Lidhje

Ekipi i negociuesve të Prishtinës shkon në bisedimet e Vjenës në përbërje të plotë


Ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës do të shkojë në përbërje të plotë në takimin e 30 gushtit në Vjenë me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit. Në këtë takim që është vazhdim i negociatave shtesë 120 ditëshe për statusin e Kosovës, Beogradi do të përfaqësohet nga një delegacion me nivel më të ultë politikë të cilin do ta drejtojë ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë Slobodan Samarxhiç.

Zëdhënësi i ekipit të negociuesve të Prishtinës, Skënder Hyseni tha se Kosova nuk ka nevojë që ta mbështesë formatin e pjesëmarrjes më atë të Beogradit.

“Me këtë demonstrohet serioziteti, shkalla e seriozitetit që Kosova ia atribuon këtij procesi jetik për Kosovën, prandaj do të ishte gabim fundamental, mendon ekipi i unitetit që në çfarëdo mënyre Kosova t’i bëjë të varura qëndrimet e veta me ato çfarë ndodhë në Beograd dhe me sjelljet që mund të demonstrojë Beogradi”, tha zoti Hyseni.

Ekipi i unitetit shkon në negociata me qëndrimet se pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme, tërësia e saj tokësore është e paprekshme dhe propozimi i krye negociatorit Martti Ahtisaari nuk duhet të hapet meqë, siç thuhet, ai është një drejtpeshim shumë i ndjeshëm që nëse preket mund të bëhet jofunksional.

Zëdhënësi Hyseni tha se Prishtina nuk do të pranojë të flasë për asgjë tjetër përveç pavarësisë duke hedhur poshtë çdo mundësi për të debatuar ndarjen tokësore të Kosovës.

"Kosova tërheq vërejtjen që në rast se dikush do të donte të ri vizatonte harta në Ballkan, atëherë kjo do të jetë një aventurë e rrezikshme dhe kjo aventurë nuk mund të përfundojë vetëm me ri vizatimin e hartës së Kosovës, por të shumë shteteve në Ballkan. Nuk besoj se është interes i kujtdo në Evropë që të krijojë një situatë kaotike në Ballkan, me situatë të paparashikueshm”, tha zoti Hyseni.

Beogradi ndërkaq shkon në bisedime me qëndrimin se do të bisedojë për cdo mundësi që nuk nënkupton shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Qëndrimet e të dyja palëve vazhdojnë të jenë tërësisht të kundërta, ndonëse të dërguarit e Grupit të Kontaktit kanë kërkuar nga palët që të ofrojnë propozime të reja për zgjidhjen e statusit të Kosovës ndërsa vetë nuk do të bëjnë asnjë propozim.

Negociatat shtesë 120 ditëshe pritet të përmbyllen deri më 10 dhjetor kur të dërguarit e Grupit të Kontaktit duhet t’i raportojnë për rrjedhën e tyre sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit nuk arriti të sigurojë konsensus për zgjidhjen e statusit të Kosovës për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur.

XS
SM
MD
LG