Lidhje

Moska shkallëzon fuqinë e saj ushtarake


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë kohët e fundit thirrje për fuqizimin e aftësive ushtarake ruse, duke përmendur si shkak propozimin amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore, terrorizmin dhe ritmet e ulëta të investimeve ushtarake gjatë viteve të fundit. Disa analistë thonë se Kremlini po përpiqet t’u rikthehet ditëve të lavdisë ushtarake të periudhës sovjetike. Ndërkaq Uashingtoni nuk po u kushton shumë rëndësi sinjaleve gjithnjë e më agresive që vijnë nga Moska.

I fuqizuar nga fitimet kolosale që ka sjellë shitja e naftës ruse, Presidenti Putin nënshkroi në fillim të këtij viti një plan prej 200 miliardë dollarësh për riarmatim me synimin për të modernizuar arsenalin e saj ushtarak.

Ndër të tjera, Rusia pezulloi pjesëmarrjen në një traktat të rëndësishëm evropian, njoftoi fillimin e prodhimit në seri të një rakete të re balistike, rifilloi fluturimet nga e vetmja aeroplan-mbajtëse rus në funksionim, dhe iu rikthye praktikës së periudhës së Luftës së Ftohtë për të dërguar në patrullim në mbarë botën avionë bombardues me rreze të gjatë veprimi. Shefi i Marinës ruse njoftoi kohët e fundit synimet për të ngritur një bazë të përhershme të marinës ruse në Mesdhe.

Presidenti Putin thotë se kërcënimet ndaj sigurisë e kanë detyruar Rusinë të shkallëzojë veprimet ushtarake.

Por disa analistë perëndimorë thonë se theksi që po i vë Rusia forcimit të saj ushtarak nuk ka ndonjë pikësynim të qartë për politikën e jashtme.

"Të marrim si shembull rifillimin e patrullimit ajror të bombarduesve me distancë të gjatë nga territori rus. Mendoj se as rusët vetë nuk dinë të të shpjegojnë se me ç’synim po bëhet kjo. Përse i sillen rrotull Guamit, një ishull amerikan në mes të Paqësorit? Ç’lidhje ka ky ishull me interesat kombëtare të Rusisë"?

Steven Sestanoviç është ekspert në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë. Ai thotë se Rusia, e fuqizuar nga shitja e naftës, po përpiqet ta prezantojë veten si një vend i fortë, që vepron i pavarur nga Perëndimi.

"Rusët duan me doemos të tregojnë një farë pavarësie, por nuk mendoj se i kanë përkufizuar qartë synimet që duan të arrijnë me këtë".

Disa analistë argumentojnë se Rusia, e cila nuk ka më problemet e mëparshme financiare, thjesht do të duket, duke e theksuar me të madhe rilindjen e saj si një fuqi ushtarake. Por të tjerë, si Riçard Witz i Institutit Hudson, thonë se është e logjikshme që Rusia të investojë për modernizimin e arsenalit të saj të periudhës sovjetike.

"Shumë prej këtyre veprimeve janë të natyrshme. Rusët kanë pasur arsenal të madh bërthamor për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara dhe për arsye të tjera. Marina ishte komponenti më i dobët i ushtrisë së tyre, prandaj është e logjikshme që të synojnë ta fuqizojnë këtë armë".

Zoti Witz thotë se retorika e ashpër e Kremlinit ka në qendër të vëmendjes kryesisht publikun e brendshëm, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në vend.

Por analisti Sestanoviç thotë se prirjet ushtarake të Rusisë, megjithëse nuk paraqesin një rikthim në periudhën e Luftës së Ftohtë, duhen ndjekur me vëmendje.

"Nganjëherë, vendet shprehen me një retorikë të re në politikën e jashtme dhe zgjedhin mjete të reja për politikën e jashtme e pastaj vijnë të tjerat. Nganjëherë ky është një proces i rrezikshëm. Të shpresojmë që nuk bëhet fjalë për të njëjtin proces në Rusi".

Uashingtoni nuk po u kushton rëndësi prirjeve të Kremlinit për të fuqizuar arsenalin ushtarak. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Gordon Johnro tha se “Ushtritë në mbarë botën angazhohen në operacione të ndryshme, prandaj një veprim i tillë nuk është për t’u çuditur.” //ze//

XS
SM
MD
LG