Lidhje

Sarkozi bëri thirrje për përcaktimin e afatit të tërheqjes nga Iraku


Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, bëri thirrje për përcaktimin qartë të një afati për tërheqjen e trupave të huaja nga Iraku. Ai tha se programi bërthamor i Iranit është kriza më serioze me të cilën përballet komuniteti ndërkombëtar sot.

Zoti Sarkozi vuri në dukje se Franca ishte kundër ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003. Por ai tha se qeveria e tij është gati të ndihmojë për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit. Këto komente presidenti francez i bëri në fjalimin e tij të parë për politikën e jashtme, që kur filloi nga detyra në muajin maj.

Presidenti Sarkozi paralajmëroi gjithashtu se qeveria e tij është e vendosur ta parandalojë Iranin që të zhvillojë armë bërthamore. Ai i cilësoi si të papranueshme përpjekjet për krijimin e një Irani me armë bërthamore.

Ndërkohë, Franca ofroi të shërbejë si ndërmjetësuese në krijimin e një qeverie me bazë të gjerë në Irak.

Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner i bëri thirrje Irakut të krijojë një qeveri të unitetit kombëtar në një artikull të publikuar sot në gazetën Herald Tribune.

Ai tha se Franca mund të japë një prespektivë të re për shkak të lidhjeve me komunitetet lokale të Irakut dhe miqësisë me Shtetet e Bashkuara.

Agjencia franceze e lajmeve njoftoi se Kushner kërkoi ndjesë që kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Irakut duke deklaruar se kryeministri Nuri al-Maliki duhet të jepte dorëheqjen.

Zoti Kushner tha në një intervistë të botuar dje se i kishte thënë sekretares amerikane të shtetit Kondoliza Rajs se zoti Maliki duhej zëvendësuar. //ze//

XS
SM
MD
LG