Lidhje

Bukuria dhe qartësia e të shkruarit thjeshtë


Të huajt duan të mësojnë anglishten shpesh nga prirja për të imituar stilin që shohin në gazeta, duke e menduar si standart të gjuhës së rregullt. Por Paula LaRok, e cila ka punuar prej vitesh si instruktore për artin e të shkruarit dhe të raportimit për gazetë, paralajmëron se shpesh gazetarët dhe në përgjithësi ata që kontribuojnë me shkrime dhe analiza për median, bëhen njëkohësisht edhe përhapës të një stili të mbingarkuar dhe jo elegant të përdorimit të gjuhës së shkruar.

Nëse do të shkruash bukur dhe qartë, thotë specialistja LaRok, nuk duhet të joshesh nga praktika që e mbingarkojnë gjuhën dhe zhdukin zhdërvjellësinë e të shprehurit të përditshëm. Shumë prapashtesa apo mbaresa të tepërta, thotë ajo, që përdoren me mendimin se krijojnë një gjuhë të rafinuar, përkundrazi krijojnë shprehje artificiale.

Shpesh janë gazetarët ata që përhapin praktika të gabuara në përdorimin e gjuhës dhe kjo, thotë specialistja mund të çorientojë të huajt që nuk e njohin anglishten si duhet dhe mendojnë se kështu duhet shkruar gjuha.

"Kur dëgjon parashikimin e motit, shpesh meteorologu thotë: Të shohim se ç’mund të presim nesër në aspektin meteorologjik. Por do të ishte shumë më bukur të thuhej thjesht. Të shohim si do të jetë koha nesër. Kur dëgjon mendian, e para gjë që të zë veshi janë shprehjet tipike mediatike – një fjalor i kufizuar, pa ngjyrime, i mbishfrytëzuar, folje si zhvilloi, nxiti, shkaktoi, rezultoi, theksoi".

Sipas specialistes, thjeshtësia është bukuri dhe qartësi në gjuhë. Ajo thekson se njerëzit shpesh ngatërrohen në shprehje të mbingarkuara, me idenë se gjuha e shkruar ndryshon nga gjuha e folur.

"E vetmja gjë që ndryshon ndërmjet gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar është se ato që shkruajmë dalin më elegante, pasi redaktohen. Autori i shkrimit ka kohë t’i rilexojë dhe t’i rregullojë fjalitë, gjë që nuk ke mundësi ta bësh kur flet. Por gjithçka tjetër është e njëjtë".

Ajo këshillon gazetarët që kur ulen në tavolinën e punës me një ide në kokë, të mos joshen nga dëshira për të impresionuar të tjerët, por për të informuar publikun.

"Ne duhet të dimë si të mbajmë të angazhuar interesin e lexuesit, si të shprehim një zhvillim dramatik pa u bërë melodramatikë. Duhet të dimë si përcjellim mesazhin pa i mërzitur apo shushatur lexuesit".

Gazetari, thotë ajo, nuk duhet të niset me idenë se do të impresionojë lexuesin, por me idenë se se do të përcjellë një mesazh, një zhvillim në mënyrë të qartë dhe të këndshme. Autori nuk duhet të përdorë fjalë që nuk i ka në fjalorin e tij të përditshëm, pasi nëse e bën një gjë të tillë, teksti do të tingëllojë artificial.

Mënyra më e mirë për ta arritur këtë, thotë specialistja LaRok, është të krijosh një skelet të tekstit, me ide për strukturimin e shkrimit. Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të harrojmë se fjalët nuk janë skalitur në gur, por duhet të jenë organike, të ketë rrjedhshmëri nga një paragraf në tjetrin dhe mbi të gjitha të lësh vend për redaktime e përmirësime. //ze//

XS
SM
MD
LG