Lidhje

Parlamenti turk zgjedh Abdullah Gul në postin e Presidentit


Abdullah Gul bëri sot betimin si presidenti i ri i Turqisë, pas zgjedhjes nga Parlamenti i vendit. Ish- ministri i Jashtëm u zotua për ruajtjen e paanshmërisë mes institucioneve laike të Turqisë, përfshirë ushtrinë dhe elementëve më fetarë. Zoti Gul, mysliman i devotshëm, është kryetari i parë i shtetit me formim islamik. Megjithatë ai ka premtuar të respektojë traditat laike të vendit që ndajnë qeverinë nga feja. Ai u zgjodh me 339 vota në parlamentin prej 550 vendesh në raundin e tretë të votimit zhvilluar për zgjedhjen. Për fitoren e sotme ishte e nevojshme vetëm një shumicë e thjeshtë.

Para disa javësh ai nuk arriti të sugurojë shumicën prej dy të tretash të nevojshme për dy raundet e para. Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso e përshëndeti zgjedhjen e zotit Gul duke thënë se mund të ndihmonte për përshpejtuar hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Presidenti i ri turk Abdullah Gul njihet si një figurë shumë e aftë, por që ka ngjallur shumë debate. 56 vjeçari Gul u bë presidenti i 11-të i Turqisë. Zoti Gul është një mysliman i devotshëm. Ai e filloi karrierën politike me një parti islamike që është nxjerrë jashtë ligjit.

Kritikët kanë shprehur shqetësimin se nën udhëheqjen e tij traditat e forta laike të Turqisë mund të tkurren. Zoti Gul i ka siguruar laikët se ai nuk përbën kërcënim për këto tradita. Mbështetësit e tij, përfshirë kryeministrin Recep Tayyip Erdogan, e konsiderojnç zotin Gul si një diplomat të respektuar që ndihmoi për hapjen e bisedimeve për hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Nursune Memecan, një anëtar i parlamentit nga partia në pushtet e zotit Gul për Drejtësi dhe Zhvillim tha se presidenti i ri është pa paragjykime dhe parapëlqen konsensusin. Por kritikët e kanë cilësuar atë edhe si një figurë përçarëse që do të minonte stabilitetin politik të Turqisë, pavarësisht përpjekjeve për marrëdhënie të mira me laikët. //rd//

XS
SM
MD
LG