Lidhje

Kosovë: Në prag të bisedimeve të 30 gushtit


Ndërkohë që afron 30 gushti për takimin e ardhshëm të treshes me delegacionet përfaqësuese të Prishtinës dhe Beogradit, udhëheqësit në Serbi dhe Kosovë nuk ndjehen shumë entuziastë për mundësinë e ndonjë marrëveshjeje në këto negociata.

Në bisedat me banorë në Prishtinës dëgjohen nota padurimi nga vazhdimi i gjendjes së pazgjidhur. Pajazit Halimi është një i papunë 39-vjeçar: "Boll më. Shtyrje, shtyrje. Besoj që këtë vit do të ndodhë ky proces."

Bajram Kastrati nuk është aq optimist. "Këto bisedime ndoshta janë shtesë dhe shtyrje kohe. Kurgja tjetër nuk do të ketë risi, dhe mendoj që s'do të ketë risi fare"

Ylber Hysa, pjesëtar i ekipit negociator, i shikon negociatat më tepër si mundësi për perëndimin për të sheshuar mospajtimet mes tyre: "Këto 120 ditë janë ndoshta një mundësi e mirë për unitetin transatlantik, në mënyrë që Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian të bien dakord të pranojnë ta zgjidhin çështjen e Kosovës jashtë Nju Jorkut (Këshillit të Sigurimit) pasi të kemi shfrytëzuar të gjitha mënyrat dhe rrugët e mundshme për këtë problem."

Zoti Hysa paralajmëron se kjo duhet të jetë etapa e fundit në procesin e statusit: "Kemi tetë vjet nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe para kësaj periudhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit thuajse një gjeneratë të tërë duke luftuar për liri. Ka ardhur koha që ky brez të gëzojë rezultatet e qëndresës së tyre. Besojmë se ky është momenti i duhur dhe ky është për ne raundi i fundit i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mendoj se populli i Kosovës nuk duron më."

Por në këndvështrimin e serbëve të Kosovës, ende nuk janë pjekur kushtet për një zgjidhje. Rada Trajkoviç është përfaqësuese politike e serbëve të Kosovës: "Të them me plot sinqeritet, nuk parashikoj që këto bisedime të sjellin ndonjë zgjidhje apo kompromis mes serbëve dhe shqiptarëve. E kemi të qartë se në këtë fazë Beogradi nuk është në gjendje të mbështesë ekonomikisht, politikisht apo t’i ofrojë siguri serbëve të Kosovës ose t’i integrojë ata. Nga ana tjetër, udhëheqja dhe institucionet e shqiptarëve nuk kanë kapacitetin për të përballuar asnjë formë pavarësie."

Negociatat 120 ditëshe ndërmjetësohen nga një treshe ndërkombëtare e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia, e cila do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 10 dhjetor mbi rezultatet e bisedimeve. //ad//

XS
SM
MD
LG