Lidhje

Kather: Vendimi për statusin e Kosovës – sa më parë që është e mundur


Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman Roland Kather tha sot në Prishtinë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë që është e mundur. Ai i bëri këto komente në takimin e fundit me gazetarë para se të largohet nga misioni i tij një vjeçar në Kosovë, që përfundon të premten.

Gjenerali Kather tha se Kosova tash është në një periudhë të rëndësishme të përcaktimit të së ardhmes së saj, dukë vënë theksin në nevojën e qartësimit të statusit politikë. “Na duhet vendimi për statusin përfundimtarë të Kosovës sa më parë që është e mundur, apo siç tha presidenti i Shteteve të Bashkuara së voni, më mirë më herët se më vonë”, tha gjenerali Kather, duke nënvizuar se të gjithë janë duke e pritur atë vendim që është shumë i rëndësishëm edhe për të filluar zhvillimin ekonomik por edhe për sigurinë.

Aktualisht rreth 16 mijë ushtarë të KFOR-it kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e NATO-s do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit. “Ne do të qëndrojmë në këtë numër, me këtë mandat dhe në të njëjtin mision deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës por edhe gjatë periudhës kalimtare”, tha gjenerali Kather i bindur se pas vitit 2008 NATO-ja do të bëjë plane të tjera për praninë e saj në Kosovë. Ai tha se KFOR-i është i përgatitur për të gjitha zhvillimet e mundshme përfshirë edhe mundësinë që statusi i Kosovës të zgjidhet jashtë Këshillit të Sigurimit. Ai nënvizoi se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se procesi për zgjidhjen e statusit është proces politik i cili duhet të zgjidhet politikisht, duke nënvizuar se çdo veprim i dhunshëm vetëm mund të dëmtojë procesin.

Çdo përpjekje për dhunë do të përballet me përgjigjen e menjëhershme dhe të vendosur të KFOR-it tha gjenerali Kather, i bindur se nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë. “Nuk kam asnjë shenjë nga cilado palë se do të ketë dhunë në Kosovë”, tha gjenerali Kather, duke ju referuar siç tha të dhënave të shërbimeve të zbulimit se nuk ka shenja për dhunë, me gjithë faktin se njerëzit janë në pritje dhe ka një shkallë të nervozizmit meqë gjërat janë në përfundim të tyre.

Mbase mund të ketë edhe ndonjë demonstrim por ato duhet të bëhen në mënyrë paqësore, theksoi ai duke shtuar se KFOR-i ka marrë udhëzime nga komandanti i lartë i NATO-s për të punuar për së afërmi me njerëzit në Kosovë në këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e saj.

Negociatat për të ardhmen e Kosovë do të vazhdojnë pasnesër në Vejnë ku delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen ndarazi me të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë në kudër të bisedimeve shtesë 120ditëshe. Kjo periudhë e re e negociatave pasoi dështimin e Këshillit të Sigurimit për të arritur një konsensus për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. //rd//

XS
SM
MD
LG