Lidhje

Shqipëri: Shtohet intensiteti i zjarreve, kërcënohen zona të banuara


Zjarret po shfaqen me një intensitet të lartë duke shënuar çdo ditë vatra të reja në zona të ndryshme të vendit. Një pjesë e mirë e tyre janë në përmasa të mëdha dhe vazhdojnë prej ditësh. Vetëm dje janë regjistruar 60 vatra nga veriu në jug duke kërcënuar tani edhe zonat e banuara.

Pas rrezikut të shmangur tre ditë më parë në fshatin Tuç në Mirditë ku u evakuuan 70 persona, dje një tjetër fshat u vu në rrezik në Kolonjë. Menjëherë forcat e policisë kanë bërë evakuimin e banorëve të 70 shtëpive. Situata i ngjan asaj të fundit të muajit korrik, kur retë e mëdha të tymit mbuluan zona të tëra të vendit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve po angazhohen të gjithë mjetet e mundshme. Por ato nuk mjaftojnë. Veçanërisht në zonat malore ku ndërhyja e mjeteve nga toka është e parealizueshme. Masive të tëra pyjesh po digjen në Tropojë, Lurë, Kukës, Mirditë, Elbasan, Korçë.

Gjendja bëhetë edhe më kritike pasi autoritetet shiptare nuk mund të mbështeten më në ndihmën që ishte ofruar deri tani nga Italia dhe Greqia, shtete të cilat kishin dërguar avionët dhe helikoptert e tyre që kishin ndërhyrë disa herë në zona të rrezikëshme duke bërë të mundur shuarjen e vatrave të mëdha. Greqia vetë po përjeton një situatë dramatike ku numërohen dhjetra të vdekur nga zjarret.

Edhe Italia ka mjaft probleme në pjesët e saj jugore. Madje dërgimi i avionëve të mbrojtjes civile italiane në Shqipëria ka shkaktuar polemika të forta politike në Romë, ku përfaqësues të opozitës e kanë quajtur të papranueshme që ndërsa flakët kanë përfshirë vendin e tyre dhe strukturat e ngarkuar ankohen për mungesë mjetesh, avionët cisternë dërgohen në Shqipëri. Për shkak të kësaj polemike, një avion i ardhur dy ditë më parë, u desh të rikthehej menjëherë.

Përkeqësimi i situatës ka bërë që autoritetet e këtushme të ndërhyjnë menjëherë e të largojnë popullatën sapo një vatër zjarri i afrohet zonave të banuara.

Shqipëria është mbërthyer nga flakët që prej tre muajsh. Si asnjëherë më parë zjarret këtë vit kanë shkaktuar një katastrofë ekologjike. Ende zyrtarisht nuk ka një hartë të sipërfaqeve të shkatërruar nga zjarret, ashtu sikundër nuk ka asnjë bilanc të kostove të operacioneve për shuarjen e tyre.

Vetëm për të mbuluar shpenzimet për një avion të marrë me qera nga Ukraina, shtetet e Bashkuara i ofruan Shqipërisë 225 mijë dollarë. Kostoja e një fluturimi të vetëm të një avioni është mbi 5 mijë euro. //ii

XS
SM
MD
LG