Lidhje

Teherani proteston kundër ndalimit të 8 iranianëve në Irak


Irani protestoi ndaj ndalimit të 8 iranianëve në Irak nga forcat amerikane. Zyrtarët amerikanë thonë se iranianët u gjetën me armë të ndaluara. Irani ia paraqiti protestën ambasadës zvicerane në Teheran që përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara. Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Ushtria amerikane thotë se iranianët, dy prej të cilëve me pasaporta diplomatike, u ndaluan mbrëmë dhe pasi u morrën në pyetje iu dorëzuan sot zyrtarëve irakianë. Dje, gjatë një fjalimi Presidenti Bush e kritikoi Iranin për ndërhyrjen në punët e Irakut dhe autorizoi ushtrinë amerikane të ballafaqohet me ato që ai i quajti “aktivitete kriminale”. Veti Irani i mohon akuzat se mbështet kryengritësit në Irak.

Presidenti Bush po i shton kritikat e tij ndaj Iranit. Gjatë një fjalimi për veteranët amerikanë të luftës në Rino të Nevadës, presidenti e akuzoi dje Iranin për shtimin e sulmeve kundër trupave amerikane në Irak dhe tha se këto kërcënime nuk do të mbeten pa përgjigje.

"Regjimi iranian duhet t’i ndalë këto veprime. Derisa sa t’a ketë bërë këtë, unë do të marrë masa për të mbrojtur trupat tona. Unë kam autorizuar komandantët tanë në Irak që t’u kundër-përgjigjen veprimtarive vrasëse të Teheranit”, tha presidenti.

herët në Teheran, presidenti iranian Mahmud Ahmadinejad tha se ndikimi politik i Shteteve të Bashkuara në Irak po humbet me shpejtësi. Ai paralajmëroi për shtimin e një vakumi pushteti në Irak, për të cilin tha se Irani ishte gadi ta mbushte.

Në Uashington, zëdhënësi i departamentit amerikan të Shtetit, Tom Casy i cilësoi komentet e zotit Ahmadinejad si një retorikë e padobishme. “Retorikë që pretendon se, në një farë mënyre, mbështet dhe shqetësohet rreth nevojave të popullit irakian, ndërkohë që lejon vazhdimin e veprimeve në emër të asaj qeverie, veprime që dëmtojnë popullin irakian dhe minojnë qeverinë e tij”.

Ndërkohë në Uashington, një grup veteranësh të luftës në Irak i bënë thirrje presidentit Bush që t’i kthejë trupat në atdhe. Demonstra e tyre u zhvillua në prag të një proteste kundër luftës, e planifikuar për më 15 shtator në kryeqytetin amerikan. Kjo është edhe dita kur Kongresi është planifikuar të marrë në dorëzim një raport të shumëpritur mbi zhvillimet politike dhe ushtarake në Irak. //rd//

XS
SM
MD
LG