Lidhje

Presidenti Bush viziton Gjirin e Meksikës në 2-vjetorin e Uraganit Katrina


Kanë kaluar 2 vjet që kur Uragani Katrina goditi Gjirin e Meksikës, duke shkatërruar kilometra të tëra në këtë rajon bregdetar, përfshirë edhe një pjesë të madhe të qytetit të Nju Orlinsit në Luiziana. Presidenti Bush tha se procesi i rindërtimit ka marrë udhë dhe ka shpresa për të ardhmen.

Presidenti shkoi në zonën e Gjirit të Meksikës për të shënuar 2 vjetorin e stuhisë me banorët që përjetuan zemërimin e natyrës. Në Nju Orlins Presidenti vizitoi shkollën e parë që u rihap në një prej lagjeve më të varfra të qytetit. Ai e cilësoi shkollën si një vend shprese në një qytet që po ripërtërihet: "Uragani Katrina çau pritat, theu shumë zemra, shkatërroi ndërtesa por nuk preku shpirtin e e shumë banorë të komunitetit".

Presidenti tha se angazhimi i banorëve dhe qeverisë është i fuqishëm. Por ai pohoi se, dy vjet pas uraganit ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të rindërtimit. Presidenti Bush tha se ritmet e përparimit mund t’u duken të ngadalta atyre që jetojnë në lagjet e dëmtuara nga stuhija. Por ai shtoi se ata që vijnë këtu kohë pas kohe e shohin qartë ndryshimin. "Nganjëheqë njerëzit e kanë të vështirë të shohin përparimin e shënuar kur jetojnë në atë komunitet. Unë dhe Laura nuk jetojmë këtu, por kemi ardhur disa herë. Nuk është e vështirë të shihen dallimet mes asaj që vërejtëm kur erdhëm pas Uraganit dhe tani. Qyteti po rilind". Presidenti foli për një fond prej miliarda dollarësh të caktuara për riparimin e infrastrukturës dhe shtëpive dhe për të ndihmuar banorët të kthehen në jetën normale.

Presidenti tha se një ndër përparësitë ka qenë rindërtimi dhe forcimi i pritave që u çanë gjatë stuhisë, duke lejuar ujin të vërshonte në qytet, pasi një pjesë e mirë e Nju Orlinsit është nën nivelin e detit. "E kuptojmë plotësisht se Nju Orlins nuk mund të rindërtohet derisa të rikthehet besimi tek rezistenca e pritave. Planifikimi është një hap i procesit, por nevojitet edhe të binden njerëzit se pritat do të rezistojnë", tha presidenti. Riparimi masiv i pritave ka përfunduar dhe përpjekjet intensive për t’i forcuar ato pritet të përfundojnë brenda vitit 2011.

Pritat janë përgjegjësi e qeverisë federale dhe projekti drejtohet nga inxhinierët e ushtrisë. Ushtria ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në përpjekjet e shpëtimit gjatë ditëve dhe javëve të kaosit që mbërtheu qytetin pas Katrinës. Gjenerali Russell Honore drejtoi trupat që ndihmuan Nju Orlinsin. "Nocioni i rindërtimit dhe ripërtëritjes kërkon një bashkëpunim të gjerë. Tani që hedhim vështrimin drejt të ardhmes të mos harrojmë mësimet që nxorën nga Uragani Katrina dhe të zotohemi se nuk do ta lejojmë kurrë më një tragjedi të tillë".

Administrata e Presidentit Bush është kritikuar për përgjigjen fillestare ndaj Uraganit, nga i cili gjetën vdekjen rreth 1 mijë e 600 vetë dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë në brigjet e Gjirit të Meksikës. Gjenerali Honore, vetë i lindur në shtetin Luiziana, u dërgua në zonë ndërkohë që agjencia federale po kritikohej se nuk u përgjigj me energjinë dhe urgjencën e duhur.

Përveç Luizianës, stuhia dëmtoi edhe qytete të tjera në Gjirin e Meksikës në shtetet Alabama dhe Misisipi. Nga Nju Orlins, Presidenti shkon në Misisipi për të parë nga afër punimet në një urë të rëndësishme të shkatërruar nga Katrina, e cila tani është pjesërisht e hapur për trafikun. //rd//

XS
SM
MD
LG