Lidhje

Analistët skeptikë për uljen e nivelit të varfërisë në Amerikë


Agjencia amerikane që ndjek ndryshimet demografike, thotë se niveli i varfërisë në Shtetet e Bashkuara ka pësuar një rënie të paktë, për herë të parë në 7 vjet. Byroja e Regjistrimit të Popullsisë njoftoi dje se 12,3 përqind e amerikanëve, ose 36 milionë, jetonin në varfëri vitin e kaluar, krahasuar me 12 presje 6 përqind në vitin 2005.

Sipas Byrosë së Regjistrimit të Popullsisë, të ardhurat individuale pësuan rënie si për burrat edhe për gratë në vitin 2006, por më shumë pjesëtarë të familjes punuan, duke bërë që të shtoheshin në përgjithësi të ardhurat. Këto statistika ishin një lajm i mirë ekonomik për tregun e aksioneve, që është goditur rëndë nga gjendja e shit-blerjeve të pasurisë së patundshme.

Megjithatë, disa analistë e shikojnë me rezervë këtë rënie të vogël të varfërisë. “Shkalla e varfërisë në 2006-tën, viti i pestë i rimëkëmbjes ekonomike, ishte më e lartë se sa varfëria në vitin 2001 gjatë ngadalsimit të fundit ekonomik”, thotë Robert Grinstin, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Buxhetin dhe Përparësitë politike. Ai shton se është e pashembullt që shkalla e varfërisë në vitin e pestë të rimëkëmbjes ekonomike të jetë më e lartë se varfëria në vitin 2001 gjatë ngadalsimit të fundit ekonomik.

Renecia Redmond, e cila jeton në Çicago dhe është pa punë, thotë se ajo përballet me vështirësi ekonomike dhe është e shqetësuar për të ardhmen e vajzës së saj. “Nuk mund ta lë vajzën pa një fond për kolegj sepse nuk kam punë të mirë. Shumë shpejt ajo do të shkojë në shkollë të mesme e pastaj në kolegj. Nëse gjërat nuk ndryshojnë për mua, ajo nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë studimet e larta”.

Rënia e varfërisë u shoqërua me shtimin e numrit të amerikanëve pa sigurime shëndetësore nga 44,8 milion në vitin 2005 në 47 milion më 2006. Disa analistë thonë se këto shifra janë tregues të një gjendje të pabarabartë ekonomike, që ndikon negativisht tek shumë amerikanë, veçanërisht fëmijët.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Buxhetin dhe Përparësitë Politike, Robert Grinstin, thotë se statistika më shqetësuese është shtimi i madh i numrit të fëmijëve pa sigurime shëndetësore, një shtim prej 600 mijë fëmijësh që i shtohen 400 mijëve të pasiguruar në vitin 2005. Rënia e fundit e ndjeshme e varfërisë ndodhi në vitin 2000, gjatë administratës së presidentit Clinton. Gjatë katër viteve që pasuan varfëria u ngrit, duke arritur kulmin në 12,7 për qind në vitin 2004.

Niveli i varfërisë është barometri zyrtar për të përcaktuar të drejtën për përfitime federale shëndetësore, të strehimit, ushqimit dhe kujdesit për fëmijët. Niveli zyrtar i varfërisë është një çift me dy fëmijë, që nuk ka të ardhura më shumë se 20 mijë dollarë në vit. Ky nivel ose përqindja e popullsisë që jeton nën nivelin e varfërisë, i japin formë debatit mbi gjendjen e ekonomisë së vendit.

Demokratët në kongresin amerikan thonë se numri i amerikanëve pa sigurime shëndetsore justifikon shtimin e shpenzimeve për programin e sigurimit shëndetsor të fëmijëve. Kohët e fundit, të dyja dhomat e kongresit miratuan projekt-ligje, që do të shtonin ndjeshëm fondet për këtë program federal. Por administrata e presidentit Bush i kundërshton këto projekt-ligje, duke thënë se ato do të bënin që njerëzit të hiqnin dorë nga sigurimet shëndetsore private për fëmijët. //rd//

XS
SM
MD
LG