Lidhje

Kosovë: Ryker miraton rregulloret për zgjedhjet e reja parlamentare


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Joakim Ryker miratoi tri rregullore të posaçme lidhur me kuadrin ligjor për zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal në Kosovë.

Sipas këtyre rregulloreve, Kosova do të jetë një njësi zgjedhore dhe do të zbatohet sistemi proporcional. Për herë të parë do të votohet me lista të hapura, ndërsa është miratuar edhe pragu zgjedhor prej pesë përqind, por vetëm për partitë politike shqiptare, jo për ato të pakicave.

Po ashtu kryetarët e komunave do të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë. E hapur ka mbetur çështja e datës së zgjedhjeve.

Ekipi i negociuesve të Prishtinës, ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 17 nëntor. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joakim Ryker, cili duhet të vendosë për këtë çështje, ka lënë të hapur mundësinë që zgjedhjet të mbahen pas dhjetë dhjetorit, datë kjo kur treshja diplomatike e Grupit të Kontaktit duhet t'i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për rrjedhën e negociatave mbi statusin e Kosovës.

Nesër, ekipi i negociuesve dhe shefi i UNMIK-ut pritet ta debatojnë këtë çështje në një takim të posaçëm pas të cilit mund të pritet edhe vendimi për datën e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Debatet janë përqendruar sidomos rreth shqetësimeve se mbajtja e tyre mund të dëmtojë procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG