Lidhje

Ros Xhonson: SHBA dhe Bashkimi Evropian do ta zgjidhin statusin e Kosovës në dhjetor të këtij viti


Që kur filloi të flitej edhe për një shtyrje tjetër me 120 ditë para se të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës, shpresat për një kompromis midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ekzistonin thuajse fare. Edhe studjuesi Ros Xhonson pranë Qendrës Udro Uilson nuk është optimist për ndonjë rezultat në bisedimet e sotme të Vjenës. Por në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Xhonson, thotë se Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit dhe Shtetet e Bashkuara do ta zgjidhin statusin e Kosovës në dhjetor të këtij viti. Me zotin Xhonson bisedoi kolegja Zamira Edwards.

Zëri i Amerikës: Zoti Johnson, delegationi i Prishtinës dhe ai i Beogradit u takuan këtë javë në Vjenë me Grupin e Kontaktit. Çfarë mund të pritet nga këto takime?

Ros Xhonson: Më duhet të them se nuk jam optimist. Ne kemi parë takime dhe përpjekje të ndryshme e të vazhdueshme, që datojnë që nga takimet në Rambuje më 1999. Këto takime po zhvillohen sepse Rusia vendosi të mos mbështeste procesin në Këshillin e Sigurimit i bazuar në Planin Ahtisari. Kompromisi dhe taktikat e tanishme janë pikërisht periudha shtesë 120 ditëshe për takime. Diplomatët i quajnë ato negociata, por këto nuk janë negociata sepse të dyja palët nuk do të angazhohen drejtëpërdrejtë në çështjet e pazgjidhura për sovranitetin e Kosovës. Të dyja palët kanë pikëpamje diametrikisht të kundërta, pikëpamje që i kanë pasur për një kohë shumë të gjatë dhe që nuk do të ndryshojnë gjatë 120 ditëve.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët edhe ju, të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi për një kohë të gjatë nuk kanë rënë dakord për ndonjë çështje. Trojka nga ana tjetër thotë se pret ide dhe propozime nga vetë palët. A mund të shpresohet që të dyja palët të arrijnë konsensus për ndonjë çështje dhe sa rëndësi do të kishte një gjë e tillë, duke pasur parasysh faktin që ato nuk bien dakord për çështjen kyçe: statusin përfundimtar të Kosovës.

Ros Xhonson: Tani që ka kaluar një kohë kaq e gjatë është vështirë të gjesh çështje rreth të cilave Prishtina dhe Beogradi mund të bien dakord. U bënë më parë përpjekje për t’u përqëndruar në çështjet teknike, ka vënd për të biseduar përsëri rreth çështjeve të ndryshme dhe të bihet dakord më shumë rreth tyre, si mbrojtja e pakicave, veçanërisht pakicës serbe në Kosovë. Por që Serbia të diskutojë rreth këtyre çështjeve ajo duhet të ndryshojë qëndrim kur thotë se çfarë do që të ndodhë Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë. Është vështirë të flitet rreth mbrojtjes së pakicave në një vend apo territor tjetër, kur qeveria mendon se ai vend është pjesë e vendit të saj. Mendoj se mundësitë që të dyja palët të bien dakord janë shumë të kufizuara. Është gjithashtu disi në erë diskutimi rreth mundësisë së ndarjes së Kosovës, që unë do ta quaja përshtatje e kufijve. Unë nuk do ta përjashtojë këtë mundësi në përfundim të procesit. Nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara insistojnë të imponojnë një status për Kosovën bazuar në Planin Ahtisari, atëhere mund të flitet rreth përcaktimit të saktë të kufijve. Nuk shikoj sesi Beogradi mund të shtrijë qeverisjen e tij deri në Prishtinë ashtu siç nuk mendoj se qeveria e re e një Kosove të pavarur mund të shtrijë qeverisjen e saj në zonën në veri të lumit Ibër, e cila as tani nuk është në duart e qeverisë së përkohshme të Kosovës. Pra unë do të thoja se nëse të dyja palëve u bëhet e qartë çështja e sovranitetit të Kosovës, ndoshta ato mund të arrijnë një marrëveshje për saktësinë e kufijve, që do të ndajnë Kosovën nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Ka disa nga ata njerëz që thonë se në fund të periudhës shtesë 120 ditëshe, Shtetet e Bashkuara mund të njohin pavarësinë e Kosovës. Sa i mundur është një hap i tillë dhe cilat janë pasojat e mundshme të këtij vendimi të Uashingtoni?

Ros Xhonson: Mendoj se forma e vazhdimit të procesit është e qartë. Çështja e statusit final të Kosovës mund të mos zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Le të mos harrojmë se rezoluta 12-44 u miratua pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe tani. Unë parashikoj që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të mos e zgjasin këtë proces matanë 120 ditëve, por të zbatojnë Planin Ahtisari, i cili bën thirrje për një periudhë kalimtare 120 ditëshe, pasi të jetë përcaktuar statusi përfundimtar. Është folur rreth shpalljes së pavarësisë nga Prishtina dhe mendoj se ky është një kontekst i gabuar. Udhëheqja e Prishtinës nuk do të ndërmerrte kurrë një hap që nuk përputhet me Shtetet e Bashkuara apo me Bashkimin Evropian, veçanërisht me vendet anëtare të Grupit të Kontaktit. Mendoj se statusi i Kosovës do të zgjidhet mes këtyre vendeve në dhjetor të vitit 2007.

Zëri i Amerikës: Ç’mendoni ju, si do të reagonte Serbia nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosin në dhjetor të zbatojnë Planin Ahtisari dhe të zgjidhin statusin e Kosovës. Po Rusia si do të reagojë pas një kohe kaq të gjatë në mbështetje të Beogradit.

Ros Xhonson: Jo të gjitha vendet e botës do të njohin sovranitetin e një Kosove të pavarur në vitet e para, e ndoshta Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës në kushte ligjore kushtetutore. Edhe nëse ligjërisht dhe politikisht Serbia nuk e pranon zgjidhjen e statusit të Kosovës, gjë që është e kuptueshme, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës do të zhvillohen. Ndërkohë, nuk mendoj se kjo është një çështje kritike për Rusinë. Moska e ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës si një instrument për të shfaqur ndikimin e saj në arenën ndërkombëtare. Qëndrimi i Rusisë nuk mendoj se ka të bëjë me Kosovën apo Serbinë. Moska po shikon interesat e saj dhe si të përfitojë më shumë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës. Do të ketë protesta, por me rëndësi është që të ecet përpara. Është humbur shumë kohë gjatë viteve të fundit nën iluzionin se mund të arrihej një zgjidhje kompromisi nëpërmjet negociatave, kur kjo nuk mund të arrihet. //ze//

XS
SM
MD
LG