Lidhje

Çeku: Pavarësi e më pas diskutime për çështje teknike me Beogradin


Sot në Vjenë, filloi raundi i ri i bisedimeve midis Prishtinës, Beogradit dhe Trojkës për statusin përfundimtar të Kosovës që pritet të vazhdojë deri më 10 dhjetor. Palët shkuan me qëndrimet e tyre të njohura që janë plotësisht të papajtueshme. Në emisionin televiziv Ditari, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku si shkoi takimi – çfarë të reje shënoi ky takim, krahasuar me të mëparshmit që u ndërmjetësuan nga zyra e zotit Ahtisari?

Agim Çeku: Në krahasim me takimin e mëparshëm, në këtë takim ne sqaruam edhe më shumë pozicionin tonë i cili mbetet shumë i qartë. Domethënë se kjo periudhë angazhimi shtesë është vazhdimësi e procesit të njëjtë që ka filluar para dy vitesh për përcaktimin e statusit të Kosovës, por është edhe përfundim i këtij procesi. Ne kërkuam që treshja të njohë ato që janë arritur gjatë këtij procesi deri më tani nën udhëheqjen e presidentit Ahtisari, përshembull është arritur një pajtueshmëri e gjerë që Kosovës duhet ti jepet pavarësia dhe nuk ka alternativë tjetër, që ndarja është e dëmshme dhe e papranueshme, dhe që mekanizmat, format për të cilat kemi rënë dakort në pakon e zotit Ahtisari për mbrojten e interesave dhe përfaqësimin e komuniteteve të implementohen pas pavarësisë. Unë mendoj se mbështetja e gjerë që gëzojnë këto tre vendime është një arritje e madhe. Ne gjithashtu kërkuam që deri në përfundim të këtij procesi që duhet të përfundojë më 10 dhjetor ta shfrytëzojmë këtë kohë, të bisedojmë për ato çështje ku mund të arrijmë ndonjë përparim në çështje teknike dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë që të fillojmë ti vendosim marrëdhëniet e një fqinjësie normale me Serbinë siç i kemi edhe me vende të tjera të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Çeku, tërheqja e rezolutës për Kosovën, pas kundërshtimit të Rusisë u konsiderua si fitore diplomatike e Beogradit. A ka Prishtina në strategji të qartë për këtë fazë të re bisedimesh?

Agim Çeku: Po, strategjia jonë është shumë e qartë. Ne nuk dëshirojmë për tre çështjet që përmenda më lartë. Dëshirojmë të bisedojmë, të japim mesazhe pozitive bashkëpunimi, përtej pavarësisë. Pavarësia është pozicioni jonë ku ne qëndrojmë sot dhe prej nga fillojmë këto bisedime. Ne dëshirojmë të bindim faktorin ndërkombëtar që pavarësia është një zhvillim shumë pozitiv në rajon, është në interes të rajonit, në interes të Evropës dhe ne si Kosovë kemi një vizion shumë të qartë për të ardhmen tonë si një vend demokratik, një vend i integruar në Evropë, në Nato, funksional, stabil dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe në marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje. Ky është vizioni që ne ofrojmë. Ne u kthyem në Prishtinë me përshtypjen se treshja ndërkombëtare e ka kuptuar shumë qartë pozicionin tonë, e ka mirëpritur këtë vizion tonin që ne shohim përtej pavarësisë dhe e ka kuptuar shumë seriozisht kërkesën tonë që ky proces duhet të përfundojë gjatë këtij viti dhe deri në fund të këtij viti Kosova duhet të jetë e pavarur.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët afatin e 10 dhjetorit ndërkohë dua të kujtojmë se diplomati rus Alexander Karshenko e kundërshtoi kohët e fundit afatin kohor të 10 dhjetorit për përfundimin e këtij raundi. Ju keni thënë vazhdimisht, siç theksuat edhe sot ne Vjenë, se do të preferonit pavarësi me rezolutë të OKB-së, por në se kjo nuk ndodh, pas 10 dhjetorit Kosova do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. A keni garanci ju se shtetet e tjera do të jenë të gatshme ta njohin pavarësinë e vendit tuaj?

Agim Çeku: Ne do ta shfrytëzojmë këtë kohë të bisedimeve që të arrijmë një mbështetje edhe më të fuqishme, edhe më gjithpërfshirëse të faktorit ndërkombëtar në veçanti të Bashkimit Evropian dhe do ta shfrytëzojmë këtë kohë të arrijmë një konsensus të brendshëm për veprimet që duhet ti marrim në qoftëse bashkësia ndërkombëtare heziton ti marrë për njohjen e pavarësisë. Ne gjithsesi e dëshirojmë që statusi i Kosovës të zgjidhet përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit dhe ndoshta preferejmë të bëhet vetëm me një përpjekje në Këshillin e Sigurimit, të mos ketë disa përpjekje. Në qoftë se është e qartë se Rusia si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit nuk pajtohej me këtë ne duhet të gjejmë alternativë tjetër dhe ne ofrojmë alternativë tjetër – ta shpallim pavarësinë e Kosovës mbi bazat e propozimit të presidentit Ahtisari dhe të kërkojmë njohje. Gjatë kësaj periudhe shtesë ne do të zhvillojmë një aktivitet diplomatik dhe do të kërkojmë vende të cilat do të jenë të gatshme ta njohin Kosovën.

Zëri i Amerikës: Megjithatë do t'i qëndronit ju datës 10 dhjetor si afati i fundit?

Agim Çeku: Jo, do të duhen disa ditë që treshja ndërkombëtare, Grupi i Kontaktit t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe ai ta studiojë këtë raport dhe ti propozojë Këshillit të Sigurimit miratimin e rezolutës. Do të duhen disa ditë, por gjithsesi brenda këtij viti, prej 10 dhjetorit deri në përfundim të vitit ne kërkojmë që të kemi ose rezolutë ose të lëvizim drejt shpalljes së pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit për zgjedhjet. A do të shqyrtoni ju mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, pas 10 dhjetorit?

Agim Çeku: Ne mendojmë se procesi demokratik duhet të ecë, nuk duhet të bllokohet por megjithatë duhet t’i subordinohet statusit. Asgjë më e rëndësishme nuk është se statusi. Megjithatë ato nuk duhet të interferojnë me statusin. Besoj që nesër përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm do ta caktojë datën që pritet të jetë diku nga mesi i nëntorit por gjithsesi në varësi të zhvillimeve në procesin e përcaktimit të statusit do ta shqyrtojmë këtë vendim por gjithsesi do të fillojmë përgatitjet për zgjedhjet parlamentare dhe atyre lokale.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të fillojnë bisedimet e drejtëpërdrejta me palën serbe gjatë këtij raundi të ri?

Agim Çeku: Ashtu siç e mësuam sot gjatë këtij takimi, treshja ndërkombëtare mendon që takimi i parë i drejtëpërdrejtë të jetë në Nju Jork në fund të muajit shtator.

XS
SM
MD
LG