Lidhje

Kosovë: Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 17 nëntor


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Rucker, shpalli vendimin që zgjedhjet e reja parlamentare dhe lokale në Kosovë, të mbahen më 17 nëntor të këtij viti, ditë e shtunë.

Vendimi u bë i ditur pas një takimi të gjatë me ekipin e negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës, i cili kishte propozuar po këtë datë për zgjedhjet e reja. Zoti Ruecker tha se është me rëndësi që demokracia të ecë rrugës së vet.

“Ekipi i unitetit dhe unë jemi pajtuar se përmbyllja e procesit të statusit sa më parë që është e mundur është përparësia kryesore në Kosovë”, tha zoti Ruecker duke nënvizuar se “ka rezervuar të drejtën për të shtyrë zgjedhjet nëse data e tyre përdoret si arsyetim për shtyrjen e procesit të statusit”.

Ai tha se këto dy procese nuk duhet të pengojnë njëri tjetrin. Ai tha se ekipi I negociuesve do të mbetet I bashkuar në këtë periudhë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Zoti Ruecker ka nënshkruar më herët rregulloret e posaçme për të siguruar kuadrin ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas këtyre rregulloreve Kosova do të jetë një njësi zgjedhore dhe do të zbatohet sistemi proporcional. Për herë të parë do të votohet me lista të hapura, ndërsa është miratuar edhe pragu zgjedhor prej pesë për qind, por vetëm për partitë politike shqiptare dhe jo edhe për partitë e pakicave kombëtare. Po ashtu kryetarët e komunave do të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë.

Çështja e zgjedhjeve është përcjellë me shumë debate në Kosovë. Mbështetësit e mbajtjes së tyre pohojnë se përfundimi i procesit të negociatave shtesë për statusin e Kosovës që pritet të përmbyllen me 10 dhjetor duhet ta gjejë Kosovën me institucione të ligjshme që do të marrin përsipër vendimet që duhet të pasojnë bisedimet, ndërsa kundërshtarët druajnë se zgjedhjet do të marrin tërë energjitë që do të duhej të përqendroheshin në rrumbullakimin e procesit për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës. //ad//

XS
SM
MD
LG