Lidhje

Bugajski: Uniteti në BE - i domosdoshëm për kapërcimin e kundërshtimit rus ndaj pavarësimit të Kosovës


Analistët si në Perëndim dhe në Kosovë e kanë komentuar periudhën shtesë të negociatave si një mundësi që Perëndimi të gjejë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Mungesa e unitetit në radhët e Perëndimit, thotë analisti Janush Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ka ndihmuar Rusinë të vazhdojë t’i përmbahet qëndrimit të vet në kundërshtim të planit Ahtisari. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bugajski thekson se gjetja e një kompromisi për statusin do të varet më së shumti nga arritja e një qëndrimi të konsoliduar të Bashkimit Evropian për Kosovën:

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, duket se për momentin është humbur inercia fillestare për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës. Çfarë mund të presim në përfundim të këtyre negociatave 120 ditëshe?

Bugajski: Nuk mendoj se mund të presim shumë përparim. Nuk mendoj se do të jemi në ndonjë stad tjetër krahasuar me tani. Por duhet të ndjekim me kujdes si mund të ndryshojnë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për të parë nëse mund të ketë ndonjë dobësim të pozitës ruse, apo ndoshta një këmbëngulje edhe më të fortë nga ana e Moskës për vazhdimin e negociatave të mëtejshme. Po ashtu duhet të ndjekim me kujdes qëndrimin e Bashkimit Evropian, pra nëse mes anëtarëve do të ketë unitet lidhur me ato që do të ndodhin pas diskutimeve. Gjatë bisedimeve pritet që të flitet për idenë e ndarjes, ndikimit të statusit të ardhshëm mbi vendet fqinje, përpjekjet për decentralizim dhe plani i Ahtisarit do të debatohet sërisht.

Zëri i Amerikës: Në një artikull të fundit që keni shkruar për gazetën Washington Times ju shpreheni se kokëfortësia ruse është në një farë mase rezultat i mungesës së unitetit në radhët e Perëndimit. Çfarë mund të bëhet për të ndryshuar qëndrimin rus.

Bugajski: Është e rëndësishme që vendet e mëdha anëtare të dalin me një qëndrim të përbashkët, duke përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, dhe po ashtu edhe Italinë e Spanjën, dhe po u realizua kjo do të jetë shumë e vështirë për Rusinë të shfrytëzojë përçarjet mes tyre. Pas kësaj edhe vendet më të vogla të BE-së nuk pritet të shprehin ndonjë kundërshtim ndaj qëndrimit të fuqive më të madha. Për momentin ende nuk shoh një qëndrim të bashkuar. Rezultati përfundimtar do të varet nga marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Nëse Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim të konsoliduar, atëherë Rusia do të përfitojë, por nëse BE-ja del me një qëndrim të vetëm në mbështetje të qëndrimit amerikan do të përfitojë qëndrimi i tyre. Do të ishte mirë dhe Shtetet e Bashkuara do të dëshironin një qëndrim të përbashkët evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë rekomandoni ju, si mund të kapërcehet mungesa e unitetit në radhët e fuqive evropianenë lidhje me çështjen e statusit të Kosovës.

Bugajski: Duhet të zhvillohen bisedime dhe të ketë një angazhim diplomatik për të siguruar një mbështetje të evropianëve. Këtë duhet ta bëjnë edhe vetë evropianët, pra nuk është fjala që Uashingtoni t’u bëjë presion atyre. Nëse evropianët janë seriozisht të angazhuar në përpjekjet për një politikë të përbashkët të sigurimit dhe të punëve të jashtme në një vend që është kaq pranë kufijve të Bashkimit Evropian, atëherë vetë ata duhet të angazhohen. Prandaj është përgjegjësi e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të angazhohen për zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, si mund të zgjidhet problemi i angazhimit të Bashkimit Evropian në Kosovë nëse nuk arrihet më parë miratimi i një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

Bugajski: BE-ja mund të veprojë edhe pa një rezolutë të OKB-së nëse ftohet nga qeveria e Prishtinës. Pra ka mënyra për ta anashkaluar rezolutën e OKB-së nëse të gjitha palët janë të angazhuara seriozisht. Shumica e njerëzve në Kosovë e mirëpresin angazhimin e Bashkimit Evropian pasi do ta shihnin këtë si zbatim të planit Ahtisari dhe gjithashtu si hapi i parë në integrimin në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë që ka filluar procesi i ri i negociatave, udhëheqës në Prishtinë janë shprehur se nëse nuk ka zgjidhje pas 120 ditëve, ata do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Çfarë pritet nëse ndodh një gjë e tillë?

Bugajski: Komente të tilla janë të rëndësishme për kredibilitetin e tyre në vend, veçanërisht në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Është e rëndësishme që udhëheqja të ruajë kredibilitetin në popull, në një kohë që popullata po bëhet gjithnjë e më e zhgënjyer se qeveria nuk arrin të përmbushë premtimet për pavarësinë dhe zgjidhjen e statusit. Prandaj ka rëndësi që ekipi i unitetit të dalë me një plan për periudhën pas 120 ditëve. Për sa i përket shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëashme – gjithmonë pavarësia shpallet në mënyrë të njëashme, nuk ndodh që të mblidhen dy vende dhe të shpallin një të tretë të pavarur. Ajo që është e rëndësishme është njohja e këtij shteti – pra sa vende do ta njohin Kosovën e pavarur. //ad//

XS
SM
MD
LG