Lidhje

Presidenti Bush propozon masa për t'u ardhur në ndihmë pronarëve

  • Skot Sterns
  • Uashington

Presidenti Bush bëri dje të njohura disa masa për t’u ardhur në ndihmë pronarëve të shtëpive në Shtetet e Bashkuara, që po e paguajnë me shumë vështirësi kredinë, në përpjekje për të shmangur pasojat më të mëdha ekonomike të këtij fenomeni. Dje, në një konferencë shtypi në Washington, Presidenti propozoi disa ndryshime në politikën federale për tregun e shtëpive, që do t’i lejonte një numër më të madh pronarësh shtëpish, me histori krediti jo të mirë, t’i rifinancojnë huatë e tyre nga bankat, duke marrë garanci nga qeveria. Shtimi i rasteve kur pronarët hasin në vështirësi për pagimin e huave të marra nga bankat, ka shkaktuar trazira në tregjet financiare dhe ato të kredive. Presidenti mbështeti një ligj, i cili do të sillte ndryshime në kodin e taksës së shtëpive, për të lehtësuar barrën e pronarëve, shtëpitë e të cilëve po humbin vlerën.

Në prononcimin e tij të parë në publik për trajtimin e krizës së tregut të shtëpive në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Bush donte t’i siguronte invesitorët, se themelet e ekonomisë amerikane vazhdojnë të jenë të forta.

"Tregjet janë tani në një periudhë tranzicioni, ndërsa lojtarët e tyre rivlerësojnë çmimin që duhet paguar për riskun. Ky proces ka vazhduar për një farë kohe dhe do të vazhdojë edhe për disa kohë, sa të mbarojë ky proces. Por edhe në këto kushte, ekonomia e Amerikës mbetet e fuqishme, për ta kapërcyar këtë periudhë turbullie",- tha Presidenti.

Në tregun e shtëpive, këta muajt e fundit ka patur mjaft vështirësi për shkak të kredive me interesa të axhustuara sipas tregut. Për këtë arsye, qindra mijëra njerëz që i kanë blerë shtëpitë me këto lloj kredish, dhe që e fillojnë pagesën e kredisë me kosto më të ulëta mujore, me shtimin e pagesës mujore për shlyerjen kredisë, ata nuk kanë mundur dot ta paguajnë atë.

Sipas planit të propozuar nga Presidenti Bush, Agjencia Qeveritare e Shtëpive do t’i lejonte rreth 250 mijë familje që nuk janë në gjendje të paguajnë detyrimet mujore, të marrin hua të reja, që do t’i lejonin t’i mbanin shtëpitë, pa patur nevojë t’i shisnin ato.

Kjo masë shënon një zgjerim historik të Agjencisë Federale të Shtëpive, një agjenci që shërben në periudha depresioni ekonomik, e cila tradicionalisht i ka shërbyer familjeve me të ardhura të pakta, ose mesatara, si dhe personave që blejnë shtëpi për herë të parë, por jo atyre që nuk paguajnë huatë.

Duke qenë i ndërgjegjshëm për rrezikun dhe dëmin që do të sillte ndërhyrja e shtetit tek forcat e tregut, Presidenti thotë se qeveria federale e ka një rol për të ndihmuar pronarët e shtëpive, por ai është e kufizuar.

"Ndihma nga qeveria për personat që kanë marrë hua dhe nuk janë në gjendje t’i paguajnë ato, do të bënte që ky problem të përsëritej edhe në të ardhmen. Por nuk është detyrë e qeverisë që të shpëtojë spekullatorët, të cilët morën vendimin për blerejn e shtëpisë, edhe pse e dinin se nuk e përballonin dot atë. Ka një numër pronarësh shtëpish, që mund ta kapërcejnë këtë periudhë të vështirë financiare për ta, në se huadhënësit tregojnë pak fleksibilitet, ose me pak ndihmë nga qeveria."

Presidenti i bëri thirrje Kongresit t’i japë më tepër mundësira Agjencisë Federale të Shtëpive, që t’i ndihmojë më shumë pronarët e shtëpive, të cilët kanë marrë kredi me interes të axhustueshëm sipas tregut dhe premtoi se do të punojë së bashku me ligjvënësit, për reformimin e kodit të taksës së shtëpive, për t’i ndihmuar huamarrësit t’i rishikojnë kreditë e marra nga bankat.

Mospagimi i këtyre kredive, i shoqëruar me rënien më të madhe të tregut të shtëpive në 16 vjet, ka çuar në rënien e volumit të kredive, gjë për të cilën, Drejtori i Rezervës Federale, Ben Bernanke, thotë se ai nuk do ta lejojë ngadalësimin e ekonomisë në përgjithësi.

Ndërsa nuk e ka specifiuar se çfarë do të bëjë Banka Federale për lehtësimin e krizës së kredive, shumë analistë besojnë se Banka Qendrore muajin e ardhshëm do ta ulë përqindjen e interesit, për të parën herë në 4 vjet.//lk

XS
SM
MD
LG