Lidhje

Refugjatët i japin gjallëri një qyteti të shtetit të Nju Jorkut


Humbja e vendeve të punës në shtetin verilindor të New Yorkut çoi në rënie të ndjeshme ekonomike në vitet ‘70. Por lufta në Vietnam, dhe dy dekada më vonë ajo në Ballkan, sikurse dhe konflikte në Afrikë dhe Birmani i kanë dhënë tipare të reja komunitetit në këtë shtet. Qyteti i Utikës është një prej atyre që kanë mikpritur një fluks të madh refugjatësh nga e gjithë bota.

Qyteti Utica, New York ra në krizë ekonomike dekada më parë. Gërmadhat e fabrikave dikur të fuqishme, tani janë kujtim i së kaluarës së lulëzuar.

Aktiviteti industrial dhe popullsia e kësaj zone arritën kulmin në vitin 1960, kur numri i banorëve arriti në mbi 100 mijë vetë.

Peter Vogelaar nga Qendra e Refugjatëve Mohwak Valley nuk jetonte këtu në atë kohë. Ai u vendos në Utica 3 dekada më pas, kur popullsia kishte rënë në rreth 60 mijë banorë.

“Tani kjo zonë quhet brezi i ndryshkur. Ka industri të lehtë. Por mbyllja e një baze ushtarake në veri të Utikës dhe Romës, shkaktoi shkurtimin e 30 mijë vendeve pune. Shumë vende pune u transferuan në jug ose jashtë vendi”.

Ndërkohë që vendet e punës po shkurtoheshin, refugjatët filluan të vendoseshin në këtë zonë. Ky fenomen u theksua në vitet ‘90, duke krijuar një marrëdhënie me përfitime të ndërsjella si për komunitetin që kishte nevojë për përmirësime, ashtu edhe për refugjatët që donin të nisnin një jetë të re.

“Të gjithë e kuptuam se kjo prirje ishte në të mirë të komunitetit tonë”.

Në Utika jetojnë tani rreth 5 mijë refugjatët, të cilët mbërritën këtu gjatë konfliktit ballkanik në mesin e viteve ‘90. Ata përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së qytetit dhe i kanë transformuar lagjet e braktisuar në komunitete me gjallëri.

Kur konflikti në Ballkan përfundoi në fund të viteve ‘90, një valë tjetër refugjatësh boshnjakë arriti në Utika. Por kjo nuk e ndali mbërritjen e refugjatëve të tjerë.

Qendra për Refugjatët në Mohawak Valley është organizata kryesore që ndihmon refugjatët që të sistemohen këtu. Anëtarët e stafit të qendrës kryejnë një sërë shëbimesh, ku përfshihet dhe orientimi i duhur për eksperiencën e vështirë që mbart i jeta dhe puna në një vend të huaj.

Mësimi i gjuhës angleze në këtë qendër është shumë i rëndësishëm dhe tani ka një fluks shumë të madh kërkesash.

Shumica e klasave tani janë mbushur me studentë nga Afrika dhe Birmania të cilët duan të fitojnë aftësitë e duhura në anglisht, për të gjetur një punë të mirë.

Mohamud Hussein Mohammed është një prej studentëve. Ai iku nga lufta dhe uria që pllakosi Somalinë në vitin 1993, dhe u sistemua në shtetin jugor të Texasit përpara se të zhvendosej në Utika vitin e kaluar. Familja e tij ka 6 pjesëtarë dhe ai preferon të jetojë në Utika sepse është më pranë familjes së tij dhe më pranë ëndrrës amerikane.

“Është më e lehtë të gjesh punë. Por ende nuk e kam të lehtë të blej shtëpi. Nëse ke para mund të blesh shtëpi. Nëse punon shumë, mund të mbledhësh para dhe të blesh shtëpi”.

Shumë nga refugjatët mund ta realizojnë ëndrrën për të blerë shtëpi. Pronarët e shtëpive dhe autoritetet në Utika janë treguar të gatshëm t’u shesin shtëpi të braktisura, apo të dëmtuara refugjatëve pasi në këtë mënyrë mund t’i fusin përsëri këto banesa në listën e pasurive që taksohen. Shumë riparime dhe ndërtime banesash në këtë zonë janë realizuar falë refugjatëve.

Vogelaeer mban kontakte të shpeshta me njerëzit që agjensia e tij ka ndihmuar nëpër vite. Shumë prej tyre tani janë të punësuar dhe kanë tani një krenari dhe vlerësim të ri për veten, gjë që pasqyrohet jo vetëm në rregullimet e shtëpive, por edhe në përmirësimet për gjithë komunitetin.

“Fuqia e shpirtit njerëzor është e mrekullueshme, dhe kjo tregohet çdo ditë mes këtyre refugjatëve”.

Marrëdhënia mes Utikës dhe refugjatëve të ardhur këtu ka qenë në pjesën më të madhe një lidhje pozitive. Njerëz të cilët vuajtën mjerimin dhe gjakderdhjen, i kanë dhanë një jetë të re qytetit i cili vuajti rrënimin kulturor dhe ekonomik të tij.//kk//

XS
SM
MD
LG