Lidhje

Kris Hill shprehet me optimizëm për bisedimet me koreanoveriorët

  • Liza Shlajn
  • Gjenevë

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut po zhvillojnë këtë fundjavë bisedime dy-palëshe në kuadrin e një procesi të vazhdueshëm, i cili synon bllokimin e objekteve bërthamore të Koresë së Veriut. Ky është takimi më i fundit në një varg sesionesh pune që po përgatisin kushtet për bisedimet e rëndësishme 6-palëshe, që pritet të mbahen këtë muaj. Mes vendeve pjesëmarrëse në bisedime janë dy Koretë, Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia.

Të dërguarit e lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut do të zhvillojnë sot në Gjenevë ditën e dytë të bisedimeve. Dje ata thanë se ishte arritur përparim në diskutime. I dërguari i lartë amerikan për bisedimet me Pheniani, Kristofer Hill tha dje, se të dyja palët kanë arritur një “mirëkuptim të rëndësishëm” lidhur me ato që duhen arritur në muajt e ardhshëm.

Takimi dyditor në Zvicër është pjesë e një sërë takimesh që mbahen në bazë të një marrëveshjeje gjashtëpalëshe për çarmatimin, të arritur në muajin shkurt. Sipas kësaj marrëveshjeje, Korea e Veriut duhet t’i japë fund programit të vet bërthamor, në shkëmbim të lëshimeve politike dhe ndihmave me naftë.

Në bisedime përfshihen edhe diskutime lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve dhe mbi ato që duhen bërë, që Koreja e Veriut të hiqet nga lista e Departamentit amerikan të Shtetit për vendet që mbështesin terrorizmin.

Kryenegociatori koreanoverior në bisedime, Kim Kye Kwan, tha dje se bisedimet e në ditën e parë kishin shkuar mirë. Kim tha se pret që takimi të arrijë rezultate “të frytshme”.

Bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura në misionin e Shteteve të Bashkuara në Gjenevë. Para fillimit të tyre, të dyja palët shprehën vullnetin e mirë dhe shpresat për një rezultat të frytshëm.

Me të arritur në Gjenevë, kryenegociatori koreanoverior tha se shpreson që takimi të jetë pozitiv. Homologu i tij amerikan i tha gazetarëve, se ka shpresa se do të arrihet përparim drejt asgjësimit të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut.

Kryenegociatori amerikan në bisedime, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Kristofer Hill, tha se të dy delegacionet do të punojnë për zbatimin e marrëveshjes së 13 shkurtit.

Marrëveshja, e arritur nga të 6 palët në bisedime, i kërkon Phenianit të bllokojë objektet bërthamore të vendit dhe ta deklarojë të gjithë arsenalin e programit bërthamor. Në shkëmbim, Koreja e Veriut do të merrte 950 mijë tonë karburant të rëndë, ose ndihma të barasvlerëshme, si dhe përfitime të tjera ekonomike dhe politike. Në muajin korrik, Koreja e Veriut e mbylli objektin kryesor bërthamor.

Zoti Hill tha se është optimist se bisedimet e fundjavës me zyrtarët koreanoveriorë do t’i ndihmojnë të dyja palët të bien dakord, se si duhet filluar deklarimi dhe bllokimi i programeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Zoti Hill tha se procesi 6-palësh është i nevojshëm, sepse ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut nuk paraqesin problem vetëm për Shtetet e Bashkuara. Ai tha se bisedimet ofrojnë shpresë për marrëdhëniet mes Koresë së Veriut, të quajtur Republika Popullore, Demokratike e Koresë së Veriut dhe vendet e tjera të rajonit.

"Kjo përfshin ndërtimin e marrëdhënieve jo vetëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Demokratike Popullore të Koresë së Veriut, por edhe mes këtij vendi dhe vendeve të tjera të rajonit. Kjo është arsyeja përse ne po përpiqemi të trajtojmë disa nga arsyet e tensioneve që ekzistojnë në rajon,"- tha zoti Hill.

Një çështje që do të diskutohet në takim, ka të bëjë me rrëmbimin, dekada më parë, të shtetasve japonezë nga Koreja e Veriut. Zoti Hill tha se zgjidhja e kësaj çështjeje është në rendin e ditës të të dy palëve. Ai tha se 6 palët në bisedime kanë krijuar një mekanizëm për pakësimin e këtyre tensioneve dhe për ndërtimin e besimit mes vendeve të rajonit. Ai tha se Rusia është përpjekur së tepërmi këto kohë, për t’u siguruar që procesi të jetë i suksesshëm në takimin 6-palësh.

"Shpresoj, se në fund ne jo vetëm që do të kemi trajtuar problemin e tmerrshëm të armëve bërthamore, por edhe do të sigurohemi, që ky rajon jo vetëm që do të prodhojë disa nga produktet më të holla dhe të sofistikuara të botës, por që rajoni i Azisë Verilindore të prodhojë gjithashtu paqen dhe sigurinë", - tha zoti Hill.

Zoti Hill tha se shpreson që Koreja e Veriut do të deklarojë dhe bllokojë të gjitha objektet e veta deri në fund të vitit dhe pastaj të fillojë fazën përfundimtare në vitin 2008, atë të asgjësimit të të gjitha armëve bërthamore.

Zoti Hill tha se rezultati i sukesshshëm i bisedimeve 6-palëshe mund të çojë në mbajtjen e një konference për paqen në gadishullin korean, e cila do të rezultonte në një marrëveshje të vërtetë për paqen.

Kjo do ta zëvendësonte armëpushimin që i dha fund Luftës Koreane të vitit 1953. Ai tha se përfitime të tjera mund të ishin rifillimi i marrëdhënieve diplomatike dypalëshe dhe heqja e Koresë së Veriut nga lista e Departamentit amerikan të Shtetit me vendet që mbështesin terrorizmin.//lk

XS
SM
MD
LG