Lidhje

Portugalia ndërmerr projekte për të përdorur energjinë e gjelbër


Shqetësimet për ndryshimet klimatike kanë shtuar interesimin për burimet energjetike të ripërtëritshme, për të pakësuar sasinë e gazeve karbonike që çlirohen në atmosferë dhe që konsiderohen si shkaktaret kryesore të ngrohjes globale. Bashkimi Evropian shpreson të pakësojë në masën 20 për qind çlirimin e këtyre gazeve brenda vitit 2020. Këto angazhime që dëgjohen me të madhe në selitë e qeverive evropiane sot, kanë marrë një formë konkrete në Portugali, ku autoritetet po vënë në provë një numër projektesh ambicjoze për të ashtu-quajturën “energji të gjelbër.”

Portugalia është e famshme për plazhet me diell dhe verërat e nxehta, por tani ky vend shpreson të marrë emër si udhëheqës në përpjekjet bëtorëre për energji të ripërtëritshme.

Qeveria shpreson të përfitojë nga klima e përshtatshme për të shfrytëzuar energjinë diellore dhe atë të erës.

Në periferi të kryeqytetit, Lisbonë, janë vënë në përdorim komplekse të mëdha për të gjeneruar energji nga era.

Zhoakim Pina Moura, Ministri portugez i Ekonomisë, thotë se vendi shpreson të nxisë shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të ulë varësinë nga hibrokarburet që importohen:

"Kemi një detyrë të madhe përpara, gjatë kohës kur Portugalia mban Presidencën e Bashkimit Evropian, ne duhet të eksportojmë idenë e nevojës për të rritur mbështetjen tek burimet e ripërtëritshme. Jemi shumë të shqetësuar për ngrohjen globale dhe duam gjithashtu të ulim varësinë tek energjia e importuar, jo vetëm në vendin tonë por në mbarë kontinentin, prandaj i kemi varur shpresat tek burimet e ripërtëritshme".

Qyteti Serpa, në rajonin jugor Alentejo, është provë e zhvendosjes së vëmendjes së qeverisë nga burimet tradicionale në burimet e energjisë së gjelbër.

Piero dal Maso drejton operacionet teknike në centralin më të madh diellor në botë, i cili u përfundua këtë vit. Ai thotë se centrali është në gjendje të përmbushë nevojat e mbi 8 mijë banesave dhe pakëson dioksidin e karbonit të çliruar në atmosferë në masën 2 mijë tonë në vit.

Dal Maso thotë se centrali i Serpas ka 52,000 panele diellore në një sipërfaqe prej 60 hektarësh dhe gjeneron 11 megavatë energji.

Pjesa më e madhe e centraleve diellore prodhojnë vetëm 1 apo 2 megavatë, por ky projekt shfrytëzon në mënyrë optimale kushtet e mrekullueshme klimatike të Portugalisë.

Banorët e fshatit ndjehen krenarë për rolin që ka marrë komuniteti i tyre në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

"Njerëzit nga Alentejo të duken si të dalë mode, por përkundrazi. Ne e dimë që centrali diellor nuk na dëmton, nuk shkakton ndotje. Prandaj fshati e ka pritur shumë mirë, pasi ka krijuar edhe një numër vendesh pune", thotë njëri prej tyre.

Një ndër organizatat ndërkombëtare që po përpiqen të nxisin përdorimin e enrgjisë së gjelbër është Quercus. Kreu i kësaj organizate është Francisco Fraga.

"Aktualisht jemi angazhuar në një fushatë për të nxitur përdorimin efikas të energjisë. Këto përpjekje janë tani përparësi jo vetëm për Portugalinë, por për gjithë Bashkimin Evropian, i cili synon që brenda vitit 2020 të rrisë në masën 20 për qind efikasitetin e gjenerimit, shpërndarjes dhe konsumit të energjisë".

Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga BE-ja, Evropa mbështetet në masën 80 për qind në energji të importuar për të plotësuar nevojat e saj. Portugalia synon që deri në vitin 2010 burimet e ripërtëritshme të përfaqësojnë 39-45 për qind të totalit të energjisë që shfrytëzon vendi.

Me një politikë të tillë, ky vend shpreson të luajë një rol kyç në Konventën e OKB-së për Klimën që zhvillohet në dhjetor në Bali, ku udhëheqësit botërorë do të diskutojnë një marrëveshje globale që të pasojë Traktatin e Kiotos mbi ndryshimet klimatike dhe çlirimin e gazeve ndotëse. //kk//

XS
SM
MD
LG