Lidhje

Brezi i të lindurve pas Luftës së Dytë bëhet gati të dalë në pension


Në vitin 2011, brezi i të lindurve pas Luftës së Dytë Botërore do të mbushë moshën 65 vjeç dhe do të fillojë të dalë në pension. Ndërkohë që më shumë se 78 milionë prej tyre po mendojnë se si t’i kalojnë vitet e arta, bizneset po përgatiten për mungesa punonjësish dhe për rrjedhjen më të madhe të trurit në historinë amerikane.

Sipas një studimi të kryer nga Bordi i Konferencave, një grup biznesi që merret me studime globale, institucionet dhe bizneset e ndryshme nuk janë të përgatitur për daljen në pension të brezit të lindur pas luftës së dytë botërore. Diane Piktialis është pjesë e këtij brezi dhe punon në Programin e Krahut të Moshuar të Punës në Bordin e Konferencave.

“Brezi i të lindurve pas lufte do të fillojë të dalë në pension shumë shpejt dhe numri i punonjësve që hyjnë në punë pas tyre nuk mjafton për t’i zëvendësuar ata. Kompanitë jo vetëm që nuk kanë njerëz të mjaftueshëm për të zëvendësuar punonjësit që dalin në pension, por bizneset as që kanë formalizuar ndonjë program për transferimin e njohurive nga punonjësit e vjetër tek të rinjtë që hyjnë në këto organizata.”

Piktialis thotë se në vend që të shqetësohen për daljen në pension të brezit të lindur pas lufte, kompanitë duhet të fillojnë të gjejnë mënyra për t’i mbajtur ata më gjatë në punë.

“Sfida më e madhe do të jetë përshtatja e rregullave të një biznesi për të mundësuar mbajtjen e punonjësve më të vjetër që duan dhe që janë në gjendje të punojnë aty.”

Lajmi i mirë është se, megjithëse ky brez ka arritur moshën e pensionit dhe mund të fillojë të marrë përfitimet që i takojnë, shumica e tyre nuk duan të lënë jetën aktive. Shumë prej tyre dëshirojnë të punojnë me gjysëm orari apo me një orar elastik.

“Të gjitha studimet tregojnë se rreth 70-80 përqind e këtij brezi, kur janë pyetur, kanë thënë se do të donin të vazhdonin punën në një farë mënyre. Pjesë e arsyes është se ata janë më mirë të arsimuar dhe më të shëndetshëm se në të kaluarën. Njerëzit duan të mbeten të angazhuar. Duan të japin kontributin e tyre. Ata duan të vazhdojnë kontaktin me fushën intelektuale.”

Për të marrë më shumë nga brezi i pasluftës, sipas Piktialis, kompanitë dhe grupet jofitimprurëse duhet të rivlerësojnë mënyrat me të cilat marrin në punë njerëzit dhe të fillojnë përfshirjen e më të moshuarve në kërkimin e talenteve të reja.

“Kompanitë janë shumë të përqendruara në mënyrën se si të marrin në punë punonjës të rinj. Tek cilat universitete duhet të shkojnë? Si ta përdorin internetin në këtë aspekt? Por shumë pak organizata kanë përvojë për marrjen në punë të punonjësve më të vjetër në moshë.”

Stephen Kotlikoff, profesor ekonomie në Universitetin e Bostonit, thotë se ndikimi më i madh i daljes në pension të këtij brezi do të jetë në aspektin financiar. Ai thotë se kur ky brez do të dalë në pension dhe nuk merr më rroga apo nuk paguan taksa, politikanët do të duhet të gjejnë mënyra të tjera për të financuar programet qeveritare duke pasur parasysh përgjegjësitë fiskale.

“Problemi i vërtetë me daljen në pension të këtij brezi është se do të ketë shumë njerëz në moshë për t’u mbajtur në krahasim me numrin e punonjësve që do të kontribuojnë për Sigurimet Shoqërore. Ne tani japim 30 mijë dollarë për person për sigurime shoqërore. Kur ky brez të dalë në pension shuma me dollarët e sotshëm do të jetë 50 mijë. Pra bëhet fjalë për 3-4 trilionë dollarë harxhime në vit.”

Qeveria dhe sektori privat kanë vite që përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemin që do të shkaktojë dalja në pension e brezit të pasluftës.Tani kanë mbetur vetëm pesë vjet për gjetur diçka. //kk//

XS
SM
MD
LG