Lidhje

Globalizimi dhe efektet e tij tek produktet ushqimore


Ushqimi i prishur, në rastin më të mirë i sëmur njerëzit. Në rastin më të keq ai mund të jetë fatal. Në materialin në vazhdim i hedhim një vështrim praktikave të ndjekura në Shtetet e Bashkuara për të ushtruar një analizë më të plotë për mallrat e importuara.

Vitin e kaluar, supermarketet në Shtetet e Bashkuara hoqën nga banakët spinaqin pasi tre njerëz vdiqën dhe gati 200 të tjerë u sëmurën nga bakteria E koli. Në fillim të këtij viti qindra njerëz u sëmurën nga salmonela e gjetur në gjalpin e kikirikut.

Kohët e fundit zyrtarët amerikanë fajësuan ushqimin për kafshët të prodhuar në Kinë, për ngordhjen e një numri macesh dhe qensh. Qeveria amerikane publikoi gjithashtu një paralajmërim për pesë lloje ushqimesh deti nga Kina pasi inspektorët gjetën mbetje antibiotikësh të paautorizuar.

Zyrtari i lartë për sigurinë e ushqimit në administratën amerikane, David Acheson thotë se importet janë gjithnjë e më shumë problem për shkak të ndryshimit të kërkesës së konsumatorit amerikan. "Kjo bën që të shtohet numri i artikujve ushqimorë që importohen, dhe në thelb, pra është shprehje e globalizimit të tregut ushqimor. Konsumatorët amerikanë duan dhe prodhime deti të freskëta gjatë gjithë vitit".

Komisioni amerikan për Tregëtinë Ndërkombëtare thotë se importi i ushqimeve u dyfishua gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 80 miliardë dollarë.

Në të njëjtën kohë, numri i zyrtarëve të administratës së ushqimeve të caktuar për të inspektuar ngarkesat ushqimore nga jashtë është ulur në pesë vitet e fundit. Në gati nëntë milion ngarkesa ushqimore që vijnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Acheson, zyrtarët e administratës së tij janë në gjendje të inspektojnë fizikisht në laboratore vetëm një përqind të tyre: "Çfarë do të ishte mjaftueshëm? Si do ta përcaktonim këtë? Po qe se çdo ushqim që hyn, nuk inspektohet për gjithë kimikatet, apo përbërësit mikrobiologjikë, atëhere nuk është bërë sa duhet. Por kjo nuk është realiste dhe ne asnjëherë nuk do të kemi aq fonde për ta realizuar këtë".

Daniel Fabricant thotë se Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve po bën ç’është e mundur me mundësitë që ka. Zoti Fabricant punon për Shoqatën e Produkteve Natyrore, një grup jo-fitimprurës që përfaqëson industrinë e këtyre mallrave. "Me atë sasi ushqimi që hyn në vend çdo ditë, administrata nuk ka fondet e duhura nga qeveria. Buxheti është shkurtuar historikisht për disa vite dhe ajo që pritet prej tyre mendoj se është më shumë sesa mundësitë". Zoti Fabricant thotë se shumica e përbërësve për produktet natyrore vijnë nga Kina. Për shëmbull, thotë ai, Kina jep rreth 80 përqind të vitaminës C në të gjithë industrinë botërore.

Një kompani ushqimore që mbështetet shumë tek Kina dhe India për përbërësit kryesorë është Honest Tea e cila prodhon lëngje frutash dhe çaj. Kompania u krijua në vitin 1998 dhe tani importon dhjetra mijëra ton gjethe çaji në mbarë botën.

Presidenti dhe themeluesi i kompanisë Seth Goldman thotë se është me fat pasi gjethet e çajit janë relativisht të lehta për tu paketuar dhe për tu dërguar. Ai shton se kompania e tij mbështetet tek inspektorët e liçensuar të qeverisë amerikane që punojnë në vend për të siguruar cilësinë e produktit para se ai të ngarkohet për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. "Këta inspektorë shkojnë dhe marrin mostra të gjetheve të çajit dhe i analizojnë nëse në to ka kimikate që nuk duhet të jenë", thotë Goldman.

Importet kanë qënë nën presion të vazhdueshëm në Amerikë. Presidenti Bush krijoi në korrik një komision të nivelit të lartë për të gjetur mënyra që do të garantonin sigurinë e ushqimeve dhe produkteve të tjera që importohen nga Shtetet e Bashkuara. "Pjesë e strategjisë sonë është të punojmë me vendet nga të cilat importojmë mallra për tu siguruar që procedurat dhe praktikat të jenë njëlloj. Ne do të punojmë me kompanitë amerikane që sjellin mallra nga jashtë për tu siguruar që praktikat e tyre përmbushin standartet e caktuara", tha presidenti.

Industria po ndërmerr hapa nga ana e saj për të përmirësuar sigurinë e ushqimeve. Shembull është një partneritet i ri midis Shoqatës së Produkteve Natyrore dhe, një grup privat të quajtur Pharmacopeia i cili cakton standartet e qeverisë amerikane për ushqimet dhe ilaçet. Duke filluar nga shtatori, laboratori i Pharmacopeias në Shanghai do të testojë përbërësit kinezë dhe rezultatet do të ruhen në një dosje kompjuterike. Në këtë mënyrë kompanitë amerikane që kërkojnë burime materialesh të papërpunuara nga Kina do të kenë në dorë një listë me emrat e furnizuesve të liçensuar kinezë. //rd//

XS
SM
MD
LG