Lidhje

Inflacioni në Kinë këtë verë, në nivelet më të larta në 10 vitet e fundit

  • Klaudia Blum
  • Hong Kong

Ndryshimi i çmimeve të ushqimeve ka bërë që inflacioni në Kinë këtë verë të jetë në nivelet e tij më të larta në dhjetë vitet e fundit, duke i krijuar vështirësi miliona familjeve me pak të ardhura. I shqetësuar se rritja e çmimeve mund të krijojë trazira politike, Pekini ka ndërmarrë një sërë masash për të kontrolluar inflacionin.

Blerja e ushqimeve është bërë më e shtrenjtë për konsumatorët kinezë. Në korrik, çmimi i ushqimeve u ngrit më shumë se 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Vetëm çmimi i mishit u ngrit gati 50 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Arsyeja kryesore për këto rritje është sasia e vogël e asortimeneve, e shkaktuar nga përmbytjet e mëdha në disa pjesë të Kinës dhe një sëmundje, nga e cila ngordhën miliona derra gjatë vitit të kaluar. Mishi i derrit është një nga burimet kryesore në Kinë për të marrë proteinën.

Në Hong Kong, ku shumica e artikujve ushqimorë importohet nga Kina, blerësit gjithashtu janë duke ndjerë vështirësi.

Zoti Chen, 61 vjeç, shet mish dhe zarzavate në një treg të Hong Kungut. Ai thotë se çmimet, gjatë gjithë kohës që ai është në biznes, janë ngritur. Gjymë kilogram mish derri, përshembull, tani kushton rreth 4 dollarë, ndërkohë që një muaj më parë kushtonte 3 dollarë e gjysem.

Ngritja e çmimeve të ushqimeve bëri që inflacioni i përgjithshëm në Kinë të jetë 5,6 për qind në muajin korrik, më i larti në 10 vitet e fundit. Por çmimet e produkteve jo ushqimore u ngritën më pak, më pak se 1 për qind.

Kohët e fundit, inflacioni i lartë është bërë një shqetësim politik në Kinë, sepse rëndon më shumë tek më të varfërit. Nervozizmi rreth rritjes së çmimeve ishte një nga faktorët që shkaktoi protesta masive pro-demokratike në Kinë në vitin 1989.

Ngritja e inflacionit këtë vit ndodh në një situatë delikate, vetëm pak kohë përpara Kongresit të Partisë Komuniste që do të mbahet në tetor.

Sun Mingchun është ekonomist kryesor për investimet në Bankën Lehman Brothers në Hong Kong.

“Unë mendoj se është shumë delikate, sepse inflacioni prek jetën e çdo njeriu, veçanërisht ato të zonave urbane, por edhe në zonat rurale, inflacioni është gjithashtu në rritje, për shkak të rritjes së çmimit të mishit të derrit. Nga ana e saj, qeveria është duke u përpjekur të marrë shumë masa, po përpiqet të stabilizojë inflacionin për sot, por dhe për të ardhmen”.

Sun thotë se qeveria është duke u përpjekur të stabilizojë çmimet e ushqimeve duke përdorur rezervat ushqimore të shtetit dhe duke dhënë kompensim për njerëzit me të ardhura të pakta dhe fermerët. Autoritetet gjithashtu janë duke hetuar, nëse prodhuesit e ushqimeve kanë bërë ndonjë komplot për të ngritur çmimet.

Javën e kaluar, banka qendrore e Kines rriti interesat, për të katërtën herë gjatë këtij viti, për të ndihmuar në kontrollin e inflacionit dhe për të reduktuar investimet në disa fusha të industrisë. Sun thotë se qeveria dëshëron të tregojë se është duke marrë masa.

“Në qoftë se inflacioni vjen duke u rritur, banka qendrore jep sinjalizime në popull, se do të marrë masa shtrënguese në politikat monetare”.

Sun dhe ekspertë të tjerë mendojnë se shifrat e inflacionit në Kinë nuk do të ndikojnë në arenën ndërkombëtare, për arsye se ai është shkaktuar më shumë nga çmimet e ushqimeve, që më shumë prek konsumatorët vendas. Ai thotë se çmimet e eksportit për mallrat e konsumit u rrit shumë pak në muajt e fundit, por për arsye të tjera. Gjysma e mallrave që Kina eksporton, prodhohen me lendë të parë të importuar.

Howard Georges është zv. Kryetar i një firme biznesi në Hong Kong. Ai mendon inflacioni i lartë i këtij viti është një fenomen i përkohshëm, kryesisht i shkaktuar nga ulja e prodhimit të mishit të derrit dhe problemeve të tjera që sollën rritjen e çmimeve ushqimore.

“Inflacioni në Kinë nuk është thelbësor. Me fjalë të tjera, nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për Kinën. Por është duke patur prirjen që të rritet dhe qeveria përfundimisht do që ta ketë nën kontroll dhe të sigurohet se rritja ekonomike nuk do të shkaktojë inflacion serioz, kur të gjitha llojet e çmimeve do të ngrihen”.

Sun Mingchun parashikon se çmimet e ushqimeve do të fillojnë të ulen që në fillim të dhjetorit, duke bërë që inflacioni të jetë më i ulët në vitin e ardhshëm. Ai thotë se sidoqoftë, qeveria duhet të gjejë mënyra për t’u siguruar, se çmimet e prodhimeve bujqësore dhe atyre blegtorale të qëndrojnë të pandryshuara. Ai thotë se qeveria mundet për shëmbull, t’i japë fermerëve ndihma financiare me afate të gjata, kështu që ata nuk do të kene humbje, në qoftë se çmimi i mishit ulet vitin e ardhshëm. //ze//

XS
SM
MD
LG