Lidhje

Presidenti Bush: Vendimet për politikën në Irak do të merren duke u bazuar tek rekomandimet e komandantëve luftarakë

  • Al Pesin
  • Irak

Presidenti Bush tha se disa nga trupat amerikane mund të kthehen nga Iraku, në se kushtet e sigurisë atje vazhdojnë të përmirësohen. Presidenti i bëri këto komente gjatë një vizite-surprizë që bëri dje në provincën Anbar në Irakun perëndimor, i shoqëruar nga sekretarët e shtetit dhe të mbrojtes. Ai nuk e specifikoi se sa do të jetë numri i trupave që do të kthehen, apo se kur ato do të kthehen, duke thënë se këto vendime do të merren nga komandantët ushtarakë në Irak dhe jo nga ligjvënësit.

Presidenti Bush tha se ishte i kënaqur nga ato që dëgjoi nga ambasadori amerikan në Irak Rajen Kroker dhe nga gjenerali David Petreas, gjatë vizitës 5-orëshe në provincën Al-Anbar, e cila është shndërruar në një histori suksesi, nga rajoni me më tepër dhunë i Irakut, në njërin prej rajoneve më të sigurta.

"Gjenerali Petreas dhe ambasadori Kroker po më thonë, se në se ky lloj suksesi do të vazhdojë, do të jetë e mundur të mbahet i njëjti nivel sigurie, me një numër më të vogël forcash amerikane,"- tha Presidenti.

Presidenti Bush u takua edhe me kryeministrin irakian Nuri al-Maliki, me Presidentin Xhalal Talabani dhe udhëheqës të tjerë të lartë, si dhe me zyrtarë të provincave dhe sheikë lokalë. Në fillim të vitit, sheikët suni e prishën aleancën me Al-Kaidën dhe u bashkuan me qeverinë irakiane. Presidenti i mblodhi të dyja grupet në një tavolinë bisedimesh dhe ai tha se u dha atyre një mesazh.

"Sekretari Gajts, sekretarja Rajs dhe unë diskutuam me udhëheqësit irakianë se ka patur sukses në gjendjen e sigurisë. Tani duhet që këtë sukses ta ndjekë edhe qeveria."

Presidenti tha se udhëheqësit irakianë të të gjitha niveleve, duhet ta shfrytëzojnë gjendjen e përmirësuar të sigurisë, për t’i ofruar një jetesë më të mirë popullit irakian. Ai po ashtu u zotua të mos e braktisë Irakun, megjithë thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit, që brenda këtij viti të fillojë një tërheqje e trupave amerikane.

Presidenti i bëri thirrje Kongresit ta fillojë debatin, pasi të dëgjojë raportimin e gjeneralit David Petreas dhe të ambasadorit Kroker, javën e ardhshme. Ai tha se vendimet për politikën në Irak do të merren, duke u bazuar tek rekomandimet e komandantëve të fushës së betejës, jo nga ato që ai i cilësoi reagime të nervozuara të politikanëve, apo nga opinionet e publikut.

Zyrtarët thonë se Presidenti Bush do të marrë vendime kyçe lidhur me politikën e tij në Irak, pas dëshmisë së gjeneralit Petreas dhe ambasadorit Kroker. Presidenti Bush e bëri këtë vizitë të paparalajmëruar në Irak, rrugës për në Autsrali, ku do të marrë pjesë në takimin e APEC-ut.

Ai shkoi në Irak bashkë me sekretaren Rajs, kurse Sekretari i Mbrojtjes, Gejts dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit shkuan atje 90 minuta para Presidentit. Vizita e zyrtarëve të lartë amerikanë u zhvillua në sekret të plotë dhe në kushte të larta sigurie.//lk

XS
SM
MD
LG