Lidhje

Rama: Nano nuk është pjesë e projektit politik të Partisë Socialiste


Në Shqipëri kryetari i partisë socialiste Edi Rama thotë se me nisjen e sezonit të ri politik, e rëndësishme për grupin e tij prlamentar është cilësia e nismave të marra dhe jo mbledhja aritmetike e numrave të cilët tani nuk kanë më rëndësi, shprehet ai duke iu referuar grupit të deputetëve që mbështesin ish kryetarin Fatos Nano. Zoti Rama nuk shprehet i shqetësuar për nismat që mund të ndërmarrë parardhësi i tij duke deklaruar se zoti Nano nuk është pjesë e projektit politik të partisë socialiste.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama jemi në fillim të sezonit të ri politik. Ju pak ditë përpara në një mbledhje të Asamblesë parashtruat një platformë apo strategjinë e Partisë suaj për muajt e ardhshëm. Duket se do të zhvilloni një politikë agresive. Megjithatë këtë herë si grup parlamentar jeni zyrtarisht më pak në numra, pra nga pikëpamja e shifrave jeni zyrtarisht gjashtë deputetë më pak. A e cënon kjo grupin parlamentar dhe rolin e tij në parlament?

Edi Rama: Kemi vendosur të bëjmë detyrën tonë, duke shtuar angazhimet karshi qytetarëve, duke intesifikuar komunikimin me qytetarët, duke i dhënë politikës së re një frymëzim të ri, i cili buron nga domosdoshmëria që Shqipëria të hyjë në një rrugë të re. Në këtë kuptim, jam absolutisht i bindur se kjo është rruga që kërkojnë shqiptarët, kjo është rruga që u duhet qytetarëve tanë për të komunikuar drejtpërdrejt me një forcë politike e cila është e para forcë politike, që merr angazhimin të shkruajë programin e vet qeverisës bashkë me qytetarët dhe t’u japë shqiptarëve një alternativë për të dalë nga tranzicioni. Ky është një projekt i madh, i cili është një Dialog me Shqipërinë, me të gjitha grupet e interesit, me të gjithë njerëzit nga skaji në skaj, duke kthyer çdo hapësirë publike të Shqipërisë, që nga një kafene e thjeshtë fshati deri tek Kuvendi i Shqipërisë, në një hapësirë të debatiti për interesat e shqiptarëve. Në këtë kuptim, ajo ç’ka është më e rëndësishmja është cilësia e debatit, që grupi ynë parlamentar do të udhëheqë në Kuvend, është cilësia e nismave që grupi ynë parlamentar do të ndërmarrë, jo mbledhja aritmetike e disa numrave që tanimë nuk kanë asnjë rëndësi, sepse në fund të fundit, ajo ç’ka ne do të përcjellim do të jetë frymë e qindra nijëra shqiptarëve, dhe për t’a përcjellë këtë ne i kemi të gjithë kapacitetet e nevojshme në parlamentin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Ajo që ju tashmë e keni cilësuar si “Dalogu me Shqipërinë”, duket sikur paraprin një lëvizje të mundshme të ish- paraardhësit tuaj të zotit Nano, pasi të paktën ka paralajmëruar edhe ai një lëvizje në Shtator me hapjen e sezonit të ri politik. A i druheni një traume të re brenda PS?

Edi Rama: Ky është një projekt, i cili është konform filozofisë tonë të re, është konform progamit tonë të ri politik, i cili u afishua në Kongresin e shkuar, i cili është konform kalendarit tonë dhe nuk ka të bëjë fare me lëvizje individuale, për shkaqe individuale, që pasqyrojnë poltikën e vjetër. Padyshim politikë e vjetër është kudo, është edhe në Partinë Socialiste, si mentalitet, si formë administrimi abuziv i mandateve të marra nga zgjedhësit, si klientelë e në fund të fundit si një shumatore antivlerash nga të cilat PS do të ndahet përfundimisht në emër të qindra mijëra shqiptarëve që kanë nevojë për një parti që të jetë instrument në duart e tyre, që kanë nëvojë për të zgjedhur, që të pasqyrojnë shqetësimet e tyre, dhe që kur i pasqyrojnë ato, t’a bëjnë në emër të një interesi të madh që na bashkon, që është interesi i Shqipërisë. Vetëm kështu Shqipëria do të shkojë përpara, vetëm kështu politika do të shkëputet nga labirinthet e prapaskenave e kulisave, për interesa personale dhe e lidhjeve të vjetra që e kanë mbajtur peng për 17 vjet me rradhë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ky është të themi objektivi juaj, por besoj se nuk mund të anashkalohet si foktor ai grup brenda PS, ato ish- deputetë të larguar apo ish- kryetari Fatos Nano, sepse ju gjithnjë jemi munduar ta mbani të barazpeshuar dhe të mos e atakoni është në rastin e presidentit u krijua një goditje mjaft e fortë për PS. Pra një lëvizje e qëllimshme a mund të pengonte?

Edi Rama: Unë jam i nderuar që gjendem përpara jush, dhe përfitoj nga rasti që të komunikoj për projektin politik të Partisë Socialiste, pjesë e të cilit zoti Nano nuk është. Zoti Rama në fjalën tuaj në Asamble ju shpalosët strategji, por nuk patët nje referim për marredhëniet me partitë aleate. Kanë qenë gjithnjë marredhënie delikate, herë herë duket sikur opozita është bashkuar, pastaj ka patur momente të ndarjes, veprime individuale... Kudo marrëdhëniet dhe aleancat ndërpartiake janë delikate, janë aleanca të cilat tranfomohen në funksion të kohës dhe të cilat shkojnë duke u maturuar, duke marrë shkas edhe nga eksperienca të aktualitetit. Në këtë kuptim unë do të nënvizoja që Partia Socialiste është e interesuar dhe tërësisht e fokusuar për t’a forcuar aleancën aktuale dhe njëkohësisht e frymëzuar për të dalë përtej kësaj aleance, për të bërë një aleancë të re me të tjerë faktorë të shoqërisë shqiptare, të cilët duhet të jenë pjesë e vendimarrjes politike. Në këtë sens unë jam i bindur se shkon çdo parti e opozitës pas ngjarjes së rëndë të 20 korrikut, e cila i privoi shqiptarët nga mundësia për të hapur rrugën e re më shpejt sesa në zgjedhjet e rradhës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama pse janë kaq problematike marrëdhëniet brenda partive të opozitës, pse është kaq e vështirë të arrihet një qëndrim i përbashkët?

Edi Rama: Duhet të ndajmë atë që shkruhet dhe thuhet, në atë që është e vërtetë. Për fat të keq në Shqipëri është një hendek i madh midis asaj që shkruhet dhe thuhet dhe asaj ç’ka thuhet në të vërtetë. Koalicioni ka funksionuar me sukses, ka dalë fitues në zgjedhjet e shkuara vendore dhe do të jetë koalicioni fitues që brenda dy mandatesh do të çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropain si anëtare të familjes Evropiane.

Zëri i Amerikës: Po ndalem në një pikë tjetër zoti Rama. Ju që prej kohësh, para zgjedhjes së presidentit keni paraqitur idenë e realizimit të një grupi reformash të rëndësishme për vendin, për të cilat duhet patjetër bashkëpunimi me shumicën. Sa besoni vërtet se do të mund të arrihet ky bashkëpunim për këto reforma pasi kam përshtypjen se disa janë edhe problematike, si ajo e drejtësisë e cila lidhet ngushtësisht me çështjen e prokurorit të përgjithshëm, po ashtu edhe reforma elektorale ka problemet e veta?

Edi Rama: Ne do të bëjmë gjithçka për të realizuar qoftë reformën elektorale, qoftë reformën në drejtësi në parametrat e kërkuara për një vend që synon integrimin e plotë të Bashkimin Evropian dhe shpresojmë që këtë gjë të bëjnë edhe pala tjetër. Por unë flas vetëm në emër të palës që përfaqësoj.

Zëri i Amerikës: Lidhur me këtë çështje jeni shprehur se presidenti Topi, të cilin ju fillimisht e anatemuat do të mund të bëhet garant i realizimit të këtyre reformave. E keni ende këtë besim?

Edi Rama: Një korrektim, unë kam anatemuar proçesin, dhe ishte një proçes korruptiv, krejtësisht i padenjë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nga ana tjetër rikonfirmoj se presidenti Topi ka të drejtën e provës, dhe shpresoj se presidenti Topi të kalojë provën me sukses, por të jetë president mbi palët dhe të udhëheqë një proçes reformash, siç është ajo elektorale dhe ajo në drejtësi duke parë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. //ad//

XS
SM
MD
LG