Lidhje

Libri me letrat personale të Nenë Terezës


Një libër i ri me letrat personale të Nënë Terezës doli sot nëpër librari. Nga këto letra të murgeshës katolike del në pah se gjatë jetës së saj Nënë Tereza kaloi një krizë besimi dhe kishte përjetuar ndjesinë se ishte braktisur nga Krishti.

Vitet e errëta shpirtërore të Nënë Terezës nuk ishin bërë publike deri sot. Përpëlitjet e Nënë Terezës me dyshimet për besimin e saj duken qartë në letrat e saj private, kur shkruante se ndjente “një errësirë të tmerrshme brenda saj”. At Brian Kolodiejchuk redaktoi librin “Bëhu drita ime: Letrat personale të shenjtores së Kalkutës” që doli nëpër librari anglisht. Ai e kishte njohur Nënë Terezën për 20 vjet. “I gjithë libri është si një koment për atë që unë e quaj objektivi i misionit të Nënë Terezës: Nëse bëhem ndonjëherë shenjtore, do të jem shenjtorja e errësirës. Nuk do të jem e pranishme në Parajsë, por do t’u ndriçoj rrugën e atyre që janë mbështjellë nga terri në tokë”.

Nënë Tereza njihej si shenjtorja e të varfërve. Ajo u kujdes për të varfrit, të sëmurët, jetimët dhe për ata që ishin në prag të vdekjes në Kalkutë të Indisë për mbi 40 vjet. Në vitin 1979 ajo fitoi çmimin Nobel të paqes për punën e saj humanitare. At Brian thotë se ajo bënte punë të palodhur. “Ajo vërtet ishte e mëshirshme dhe mendonte për të tjerët dhe pothuajse nuk kishte fare kohë për vete”.

At Briani ka punuar për të nxitur shenjtërimin e Nënë Terezës. Ai nuk beson se letrat do të vënë në rrezik shanset e saj për t’u bërë shenjtore. Ai thotë se letrat e saj dëshmojnë për momente pasigurie dhe ligështie. Por ato flasin edhe për diçka tjetër lidhur me jetën shpirtërore të Nënë Terezës. “Kjo ndjenjë vetësakrifikimi dhe e lënies së vetvetes në duart e Zotit, pavarësisht nga ajo që ndjen, është e njohur, por është shumë prekëse dhe befasuese të shohësh që ajo e ka përjetuar këtë ndjenjë në rrethana kaq të dhimbshme. Disa nga letrat janë shumë prekëse”. Ata që kanë qenë pranë Nënë Terezës këmbëngulin se lëngata e saj e brendshme nuk duhet parë si mohim i Zotit.

At Briani thotë se ajo nuk hoqi dorë kurrë nga besimi i saj, por ajo vuante se nuk mund ta ndjente atë. Papa Gjon Pali ndërmorri një proces të përshpejtuar të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe ajo u lumnua në vitin 2003 vetëm gjashtë vjet pas vdekjes. Tani, që ajo të bëhet shenjtore duhet që Vatikani të pranojë që ajo ka kryer një mrekulli tjetër. //rd//

XS
SM
MD
LG