Lidhje

10 vjet pas vdekjes, figura e Nënë Terezës në qendër të vëmendjes


Nënë Tereza ishte një nga figurat fetare më të njohura të shekullit të kaluar. 10 vjet pas vdekjes së saj, letrat e fundit të publikuara të Nënë Terezës kanë ngjallur debate kudo në botë lidhur me besimin e saj. Për të folur mbi figurën e Nënë Terezës, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë me Dom Pjetër Popajn, prifti i Kishës “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, dhe me Dr. Gëzim Alpionin, në Londër, profesor në Universitetit të Birmingamit dhe autor i librit “Nënë Tereza: Shenjtore apo personalitet”.

Zëri i Amerikës: Dom Popaj, 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës cilat janë reflektimet tuaja për figurën dhe punën e saj?

Dom Pjetër Popaj: Kujtimi më i bukur janë frymëzimet që ajo ka lënë, megjithëse është fizikisht e ndarë prej nesh, por shpirti i saj qëndron akoma në mesin tonë, në mesin e çdo personi, sidomos në misionin e saj, në Kuvendin e saj, në motrat e saj, priftërinjtë, të gjithë personat që e ndjekin atë mision, në shërbim ndaj Zotit, për Zotin, ndaj njerëzve, ose njerëz që me dashuri të plotë e dedikojnë jetën e tyre në shërbim për Zotin, të varfërve e njerëzve që nuk e kanë mundësinë të kujdesen për vete. Kujtimet më të mëdha kuptohet se janë këto: një dhuratë kaq e madhe që Zoti ia ka dërguar shekullit të 20-të, por edhe shekujve të mëpasshëm.

Zëri i Amerikës: Prof. Alpion, juve e keni studiuar Nënë Terezë jo vetëm si figurë fetare, por edhe lidhur me rolin e saj, si e ka përdorur ajo median dhe statusin e saj për ta tërhequr vëmendjen drejt punës dhe misionit të saj. Cili është mendimi juaj për imazhin e saj, tani 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës?

Prof. Gëzim Alpion: Nënë Tereza është një nga figurat më magnetike të shekullit të 20-të dhe një nga arsyet është se Nënë Tereza u bë e famshme në shekullin e medias. Fakti që 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës ka një interes kaq të madh për një personalitet të tillë si ajo, tregon se njerëzit e feve të ndryshime, të kombësive të ndryshme janë të interesuar në këtë personalitet të jashtëzakonshëm të shekullit të 20-të, por unë jam i interesuar në figurën e saj në kontekstin e sociologjisë së fesë, sociologjisë së medias dhe të sociologjisë së nacionalitetit. Për mendimin tim ajo është një personazh tepër kompleks që mendoj duhet studiuar veçanërisht nga ne shqiptarët, për të nxjerrë në pah nëpërmjet Nënë Terezës vlerat e kombit tonë.

Libri i ri me letrat e Nënë Terezës titullohet: “Come be my light”, “Bëhu Drita ime” dhe ka ngjallur mjaft debate lidhur me pikëpyetjet e saj dhe dëshpërimin e saj shpirtëror, që ajo ndjeu deri në ditët e fundit të jetës së saj, nga pamundësia për të vendosur një lidhje me Zotin, siç thoshte ajo. Këto dyshime kanë ngjallur mjaft debate si mes besimtarëve, ashtu edhe mes njerëzve të fesë.

Zëri i Amerikës: Dom Popaj, çfarë do të thotë për Kishën Katolike botimi i këtyre letrave dhe përmbajtja e tyre?

Dom Pjetër Popaj: Nënë Tereza ka qenë një njeri mistik dhe mistikët dallohen prej njerëzve të tjerë për arsye se e vënë në shërbim dedikimin e tyre, jetën e tyre, me një sinqeritet që ata e kanë me gjithë zemër, me gjithë mendje, që e duan Zotin edhe veprimin e tyre merret vesh që ata e bëjnë për Zotin, atëherë edhe kanë disa vegime dhe dukje të zotit në jetën e tyre. Siç thotë edhe Shën Pali diku mendja nuk mundet kurrë ta kuptojë se si është Zoti, apo çfarë ka përgatitur Zoti për të dashurit e vet. Atëherë kur këto vegime ndalohen, se nganjëherë Zoti është mister dhe ai ka mënyrat e veta, planet e veta, mundet që krijon në shpirtin e personit shqetësime. Por personi që është i sinqertë këto i quan ligështi dhe ballafaqohet me to. Nënë Tereza ka qenë në këtë karakter, ajo është ballafaquar me ligështitë e veta. Në jetën e mistikëve ligështitë nuk janë gjë e jashtëzakonshme. Letrat e Nënë Terezës nuk kanë qenë diçka e paditur. Nënë Tereza nuk donte t’i publikonte ato, sepse njerëzit që janë ateistë, që nuk besojnë tek Zoti, do të thoshin: “E sheh, nuk ka Zot”, por në të kundërtën, nga të gjitha këto shihet se Nënë Tereza është ballafaquar me ligështitë e veta dhe ajo ka qenë gjithnjë Nëna Terezë me të varfër, me mbretër, me pasanikë, në të gjitha kulturat dhe besimet.

Zëri i Amerikës: Prof. Alpion, botimi i këtyre letrave, ose më saktë përmbajtja e tyre, a solli diçka të re për ju, a ishte i papritur për ju nga studimi që i keni bërë juve jetës dhe personalitetit të Nënë Terezës?

Prof. Gëzim Alpion: Në mes të hagiografëve (studimi i shenjtëve, shënim i redaktorit) dhe biografëve të Nënë Terezës, ka qenë e ditur që Nënë Tereza ka pasur dyshime jo në ekzistencën e Zotit, siç po trumbetohet tani nga media perëndimore, por ka pasur dyshime. Kjo tregon që Nënë Tereza ka qenë një personalitet tepër intelektual dhe jo një murgeshë e thjeshtë me origjinë fshatare siç është trumbetuar nga disa nga kolegët e saj. Për mendimin tim si sociolog, botimi i këtyre letrave, është një përpjekje tjetër e Kishës Katolike për ta përshpejtuar shenjtërimin e Nënë Terezës, por në kontekstin e normave etike, besoj që është gabim që këto letra janë botuar. Si sociolog unë jam i gëzuar që këto letra botohen sepse do të më japin mundësi mua dhe kolegëve të mi ta studiojmë Nënë Terezën në një kontekst tjetër, por duke pasur parasysh që Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj, edhe në vitet 1950 filloi me insistim të kërkojë që letrat e saj që u kishte dërguar tre kryepeshkopëve të Kalkutës, kjo tregon se Nënë Tereza në një farë mënyre e kuptoi se dikush po e përdorte dhe si një personalitet ndërkombëtar ajo donte që ajo anë intime, për probleme intime të cilat ajo ua besonte personaliteteve të kishës, ajo nuk donte që të bëheshin publike dhe unë mendoj që këto personalitete duhet ta kishin respektuar të drejtën e Nënë Terezës që këto gjëra duhet të kishin mbetur intime, ose të paktën të kishin kaluar rreth 30-40 vjet dhe atëherë të publikoheshin.

Zëri i Amerikës: Dom Popaj ndonjë reagim lidhur me këtë qëndrim të Prof. Alpionit?

Dom Pjetër Popaj: Jam plotësisht dakord. Atë u mundova të theksoj gjithashtu, se dëshira e saj nuk ka qenë që ato të botohen për këtë arsye, sepse krijon konfuzion dhe ndoshta nuk janë interpretime të sakta të asaj që ajo ndjente. Këto kanë qenë letra vetëm mes saj dhe Zotit, ka qenë një rrëfim i saj personal, një gjë për të cilën ajo ka dashur të ballafaqohet me të, të pastrohet prej saj, për t’u forcuar prej Zotit. Ajo ka qenë shenjtëreshë. Këto letra vetëm e vetëm që e shpejtojnë edhe më tepër shenjtërimin e saj.

Zëri i Amerikës: Prof Alpion, ju në librin tuaj flisni për famën dhe si e përdori Nënë Tereza këtë famë për të tërhequr vëmendjen tek misioni i saj, si edhe për ndikimin që kanë pasur vitet e saj të hershme tek jeta e saj. A mund të na thoni ju lutem sesi e ka përdorur Nënë Tereza famën dhe sa ndikim patën vitet e rinisë së saj tek jeta dhe vepra e saj?

Prof. Gëzim Alpion: Në studimin tim, i cili nuk është biografi dhe as hagiografi, unë jam përpjekur të gjej burimin e frymëzimit fetar të Nënë Terezës dhe ajo që ka shkaktuar reagime pozitive dhe negative për librin tim është se unë dua, në kuptimin pozitiv, ta sjell në tokë këtë hyjneshë për të cilën po bëhet kaq zhurmë dhe po bëhen disa interpretime, ndoshta dhe jo shumë racionale. Konkluzioni im është që Nënë Tereza është frymëzuar, ose më saktë është traumatizuar në moshën 9 vjeçe, kur vdiq babai i saj Nikollë Bojaxhiu i cili u vra në rrethana misterioze ngaqë ishte patriot dhe personalitet jashtëzakonisht i shquar në Shkup dhe unë argumentoj në libër në kontekstin e Frojdit dhe Marksit, se feja, besimi tek Zoti, besimi tek Jezu Krishti, qenë të një rëndësie vitale për Nënë Terezën sepse ishte në këtë kohë kur Nënë Tereza filloi të zëvendësonte babain e saj biologjik me babain hyjnor. Pra që në atë kohë shikojmë sesi Nënë Tereza filloi një përkushtim ndaj figurës së Krishtit dhe është pikërisht kjo periudhë vitet 1918-1919 kur filloi të ketë një lidhje të veçantë edhe me nënën e saj Drane Bojaxhiun.

Unë argumentoj që në vitin 1946, Nënë Tereza u shokua nga konflikti mes hinduve dhe myslimanëve dhe aty vendosi që përfundimisht të shkëputet nga Urdhri i Loretos për të aplikuar atë metodë përkushtimi ndaj Krishtit, për të cilën ajo kishte lënë Shkupin në vitin 1928, gjë që ishte e veçantë për femrat shqiptare të bëheshin murgesha dhe aq më tepër të shkonin për t’i shërbyer Zotit jo në rrethinat e Ballkanit, por në një vend të largët si India. //kk//

XS
SM
MD
LG