Lidhje

Kosovë: Hetohen 80 raste të përfshirjes së zyrtarëve në korrupsion


Agjencia kundër korrupsionit në Kosovë ka hetuar deri tash mbi tetëdhjetë raste të dyshuara të përfshirjes së zyrtarëve në këtë dukuri, emri i së cilës në Kosovë përmendet më së shpeshti menjëherë pas statusit dhe papunësisë. Shefi i kësaj agjencie Hasan Preteni thotë se organizata e tij merr pesë deri në shtatë telefonata në ditë nga qytetarët që ankohen se kanë qenë viktima të korrupsionit. Agjencia ka filluar punën në shkurt të këtij viti. “Ne deri më tani 37 raste i kemi përcjellë në prokurori. Çdo informatë për korrupsionin është e besueshme si nga përmbajtja ashtu edhe burimi”, tha ai. Zoti Preteni thotë se edhe deklarimet e pasurive të zyrtarëve të Kosovës të paraparë me ligj janë të dhëna në besim që synojnë parandalimin e korrupsionit dhe nuk mund të publikohen.

Agjencia kundër korrupsionit nënshkroi sot një memorandum bashkëpunimi me Shërbimin e Zbulimit Financiar të UNMIK-ut. Shefi I këtij shërbimi, Kevin Stephenson tha se aktualisht janë duke u hetuar 184 raste të përfshirjes në korrupsion, larje parash, përfshirë edhe veprimtaritë e dyshuara terroriste. “Jemi duke zhvilluar hetime për një rast të dyshuar të financimit të veprimtarisë terrorist”, tha ai duke mos pranuar të japë më shumë hollësi. Sipas tij bëhet fjalë për më pak se një milion euro, por ende nuk mund të thuhet se është tamam për veprimtari terroriste.

Autoritetet këtë javë kanë filluar një fushatë kundër korrupsionit duke bërë thirrje për luftë në shkallë të gjerë kundër kësaj dukurie. Fraud Mouring, nga Programi I Kombeve të Bashkuara për Zhvillim thotë se korrupsioni do të thotë varfëri dhe pamundësi zhvillimi për një vend. “Nëse korrupsioni bëhet gjithëpërfshirës në Kosovë atëherë statusi I saj përfundimtar do të jetë ndryshe, varfëri, padrejtësi sociale dhe zhvillim i ulët. Unë nuk e njoh askënd që do të dëshironte ta shihte Kosovën në këtë gjendje, prandaj secili qytetar i Kosovës - ata në pushtet dhe të tjerët - duhet të përfshihen në luftën kundër korrupsionit", thotë zoti Mouring.

Edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, është përfshirë në këtë fushatë dhe është zotuar se do të mbështesë punën dhe zhvillimin e Agjencisë kundër Korrupsionit, për të mënjanuar politikanët dhe nëpunësit civilë të korruptuar.

Institucionet e drejtësisë thonë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vështirësohet edhe më mungesën e kushteve për punë të gjykatësve dhe prokurorëve. Ministria e drejtësisë tërheqë vërejtjen se 400 prokurorë dhe gjykatës shpesh herë të paguar keq dhe të pambrojtur janë forcë e vogël për të luftuar krimin./al/

XS
SM
MD
LG