Lidhje

Vdiq tenori i famshëm italian Luçiano Pavaroti


Vdiq në moshën 71-vjeçare këngëtari i famshëm italian i operas Luçiano Pavaroti pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit. Menaxheri i Pavarotit Terri Robson u tha sot agjencive të lajmeve se tenori i famshëm vdiq në qytetin verior të Italisë, Modena. Pavaroti e arriti suksesin e tij të parë në skenën e operas në Londër në vitin 1963. Këngëtari trupmadh i njohur për mjekrën e zezë dhe buzëqeshjen e përhershme u bë mjaft i dashur për kritikët dhe njerëzit kudo në botë. Ai do të kujtohet si artisti që arriti me sukses të vendoste një urë lidhëse ndërmjet muzikës klasike dhe muzikës pop.

Bota humbi sot tenorit më të njohur të kohës sonë, me të cilin u mbyll një kapitull i ndritur i muzikës klasike që filloi me Karuzon.

Luçiano Pavaroti, i cili njihej për vibraton mahnitëse në Do dhe interpretimin energjik, ishte ndër tenorët më të adhuruar të kohës sonë. Gjatë karrierës së tij 45 vjeçare operistike, tenori më i famshëm që nga koha e Karuzos, ai interpretoi me figura të artit që nga Placido Domingo e deri tek grupi britanik pop, The Spice Girls, megjithë kritikat se kishte sakrifikuar artin për hir të komercializmit.

"Ka njerëz që e përdorin fjalën pop me përçmim, për të thënë se muzika pop është e parëndësishme. Nuk e pranoj një cilësim të tillë, ashtu siç nuk pranoj cilësimin se muzika klasike është e mërzitshme. Por ka muzikë të keqe dhe të mirë," shprehej tenori.

Ai mbetet i vetmi tenor që ka arritur me shumë sukses të ndërtojë një urë lidhëse ndërmjet muzikës klasike dhe asaj pop, duke ia prezantuar ariet më të famshme operistike publikut të gjerë botëror përmes koncertit të përvitshëm në Modenë, Pavaroti dhe Miqtë e tij. Gjatë viteve ai interpretoi në këtë skenë me emra të njohur të muzikës si Riki Martin, James Brown, etj, dhe gjithmonë i rrethuar nga fëmijë:

"Muzika ka fuqi të pabesueshme për t’i bashkuar njerëzit, për të sheshuar pengesat, pasi është fenomen pozitiv. Bota e sotme ka nevojë për diçka pozitive. Sporti dhe muzika janë ilaçe për këtë punë," thoshte Pavaroti.

Gjatë jetës së tij Pavaroti u angazhua në një sërë projektesh bamirësie. Ai grumbulloi ndihma për boshnjakët gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnje, në koncerte me këngëtarin e grupit U-2, Bono, dhe pas luftës financoi ngritjen në Mostar të Qendrës Muzikore për të ndihmuar artistët lokalë. Ai mori pjesë edhe në një sërë koncertesh të tjera bamirësie, si në rastin e koncertit në ndihmë të viktimave të tërmetit të dhjetorit 1988 që vrau 25 mijë vetë në Armeni.

Por koncertet më të paharruara klasike mbeten interpretimet e tij me dy tenorët e tjerë të famshëm, Placido Domingo dhe Hoze Karreras. Videoja që u regjistrua nga një koncert i tyre është shitur në mbi 750 mijë kopie.

Shpesh kritikë arti e krahasonin me Domingon, tenor me famë dhe karrierë mjaft të ndritur në muzikën klasike. Dashamirësit e tij e konsideronin Domingon si më të kompletuar dhe më konsistent si artist, por ai kurrë nuk arriti të ndizte imagjinatën e publikut si Pavaroti.

Luçiano Pavaroti ishte në qendër të disa skandaleve, së pari ndarja nga gruaja e parë pasi filloi një marrëdhënie jashtëmartesore me sekretaren e tij, 35 vjet më e re se ai vetë, me të cilët pati edhe një vajzë. Po ashtu ai u akuzua nga qeveria italian për shmangie taksash, kur deklaroi se nuk banonte në Itali, por në Monte Karlo.

Megjithatë, siç e përshkroi kritiku i artit Harold Shonberg, ai ishte ylli më i shquar nga të gjithë, dhe ndoshta më i llastuar nga të gjithë. Të gjithë duan të bëjnë ç’të duan pa pasur pasoja, por duket se vetëm Pavaroti e arrinte një gjë të tillë. Pavaroti vdiq sot pas një viti luftë me kancerin e pankreasit. Ai ishte 71 vjeç dhe la pas 4 vajza dhe gruan. Ai do të kujtohet nga dhjetëra mijëra artdashës me qindra regjistrime që la pas. //ad//

XS
SM
MD
LG