Lidhje

SHBA: Zyrtarët hetojnë incidentin me bombarduesin B-52

  • Cindy Saine

Ushtria amerikane konfirmoi se një bombardues i tipit B-52 i ngarkuar gabimisht me mbushje bërthamore fluturoi nga qyteti qendror i Dakotës së Veriut në Shtetet e Bashkuara për në Luiziana javën e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Uashingtoni rreth këtij incidenti i cili është bërë shkak për një hetim brenda Forcave Ajrore.

Bombarduesi i tipit B-52 ishte i ngarkuar me raketa kruz si pjesë e programit të Pentagonit për të hequr nga qarkullimi qindra raketa. Mbushjet bërthamore në ato raketa duhet të ishin shkarkuar në Bazën Ajrore të Minotës në Dakotën e Veriut, por gabimisht ato ishin vendosur në krahët e bombarduesit. Gabimi nuk u zbulua deri sa B-52 u ul në Bazën Barksdale të Forcave Ajrore në Luiziana, duke i lënë mbushjet bërthamore të painventarizuara gjatë fluturimit tre orësh.

Sekretari i shtypit Geoff Morrell tha se politika e Departamentit të Mbrojtjes është të mos komentojë rreth armëve bërthamore. Megjithatë, ai e pranoi se Forcat Ajrore po hetojnë “gabimin” e bërë të enjten e kaluar në transferimin e këtij municioni. Ai tha se incidenti ishte aq i rëndë sa presidenti Bush dhe sekretari i mbrojtjes Robert Gates ishin informuar menjëherë dhe Gates kishte kërkuar për informacione të përditshme rreth hetimeve të Forcave Ajrore.

Morrell u përpoq gjithashtu të siguronte publikun.

“Publiku nuk ka qenë në rrezik për asnjë moment,” tha ai.

Ekspertët e mbrojtjes thonë se nuk ka pasur rrezik për një shpërthim bërthamor, edhe nëse aeroplani do të ishte rrëzuar, për shkak të mekanizmave të sigurisë në mbushjet bërthamore.

Megjithatë, disa ligjvënës demokratë shprehën shqetësim. Përfaqësuesi demokrat Edward Markey, anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare, tha se ishte krejtësisht e pajustifikueshme. Përfaqësuesi Ike Skelton, kryetar i komisionit të kongresir për forcat e armatosura, e quajti incidentin shumë shqetësues dhe tha se ky komision do t’i kërkojë ushtrisë hollësi. Hetimet e Forcave Ajrore rreth këtij incidenti pritet të kerkojne disa javë. //ii

XS
SM
MD
LG